Libraria më e madhe lundruese në botë ka mbërritur në portin e Durrësit. Anija “Logos Hope” hapi dyert sot për publikun, ndërsa 400 anëtarët e ekuipazhit nga 70 vende të botës mirëpritën vizitorët e parë.

Me qindra tituj librash në anglisht por edhe shqip, duke nisur nga librat për fëmijë, ato të gatimit, romanet, letërsia rozë, librat motivues etj. efekt

Pjesa më e madhe e stafit, janë shumë të rinj, por nuk mungojnë edhe familjet me shumë anëtarë, pasi në bord ka edhe shkollë.

Dy të rinj të stafit, Kostandini nga Gjermania dhe Nikita nga Moldavia kanë mbi një vit që jetojnë në të dhe do të shërbejnë edhe për një tjetër vit. Për “DurrësLajm”, ata rrëfejnë pse zgjodhën këtë jetë paksa të pazakontë për bashkëmoshatarët e tyre.

“Zgjodha këtë jetë, sepse desha t’i shërbej komunitetit ndërkombëtar që kemi në anije. Gjithashtu t’u shërbej dhe vendeve ku ndalemi gjatë udhëtimit, duke u përcjellë dije dhe shpresë. Sigurisht që ka vështirësi të jetosh me shumë njerëz, sepse shpesh mungojnë hapësirat personale, por ky është një komunitet i mrekullueshëm”,- thotë Konstandini.

“Absolutisht është një nga eksperiencat më të mira të jetës sime dhe do ta mbaj mend gjithnjë”,– rrëfen Nikita.   

Në ceremoninë e mirëserardhjes në bord, fjalën e rastit e mbajti kapiteni i anijes Edward David.  

“Në bord kemi 400 vullnetarë nga 70 vende të botës. Të gjithë ne komunikojmë rregullisht me familjet tona në atdhe. Që nga sot e në ditët në vijim, Shqipëria do të jetë destinacioni ynë i radhës, ku do të përcjellim mesazhet tona për të sjellë ndryshim në jetët e njerëzve që do të takojmë”,- tha ai.

Ndërsa zv/kryeministrja Belinda Balluku, ndërsa falenderoi stafin e anijes që zgjodhën fillimisht Vlorën dhe tani Durrësin për qëndrimin e tyre në Shqipëri, vuri theksin në rëndësinë e misionit të 400 vullnetarëve të “Logos Hope”.

Anija “Logos Hope” së bashku me 3 simotrat e saj “Logos”, “Doulos” dhe “Logos II” kanë vizituar mbi 150 vende, që nga viti 1970. Anija do të jetë e hapur për publikun durrsak deri më 18 tetor, kur do të nisë udhëtimin e saj drejt një tjetër destinacioni.

M.B.