Për të tretën herë brenda tre javësh, banorët e pallatit nr.32 në lagjen nr.5 të Durrësit zhvilluan një protestë para bashkisë.

Dërgimi i tyre në sitin e Spitallës, ndërkohë që u ishte premtuar që pallati do të rindërtohej në po të njëjtin vend i ka sjellë sërish në dyert e institucionit të pushtetit vendor.

Megjithëse u ishte kërkuar të paraqiteshin në orën 9.30 për të marrë takim me drejtuesit, në orën 11.00, banorët, pjesa më e madhe e tyre të moshuar, ende prisnin jashtë godinës.

“Pardje, pasi bëmë kërkesë me shkrim na thanë të paraqiteshim të premten në orën 9.30. tani kur ora ka shkuar 11 ende s’jemi takuar me kryetaren.

“Kam ardhur nga Tirana, për t’u takuar me kryetaren, por na thanë që nuk është”.

Vi nga Kavaja deri këtu në Durrës për të takuar kryetaren, kryetarja nuk na vjen” – ishin këto disa nga deklaratat e qytetarëve protestues.

Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, kërkesat e tyre mbeten të panegociueshme, rindërtimi i pallatit në po të njëjtin vend dhe shmangia e vonesave në dhënien e bonusit të qirasë.

Megjithëse prej disa javësh me dhjetëra familje që kanë humbur shtëpinë nga tërmeti presin një përgjigje nga bashkia për rindërtimin e pallateve të tyre, pushteti vendor ende hesht.

Paraprakisht mësohet se pritet një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave mbi këtë problematikë të procesit të rindërtimit.

M.B.