Ildi Gruda ishte autori i golit të vetëm të Teutës ndaj Partizanit. Sulmuesi barazoi momentalisht shifrat, por më pas ndeshja shkoi shumë keq për Teutën, duke pësuar edhe tre gola të tjerë. Gruda foli për sfidën me Laçin dhe pritshmëritë e këtij sezoni të durrsakëve. Sulmuesi ka besim se ndaj Laçit do të marrin fitoren dhe do të kalojnë këtë moment. Në këtë ndeshje përballen dy skuadrat e fundit në renditje dhe një triumf ndaj kurbinasve e ngjit Teutën në vendin e nëntë.

Ildi, çfarë nuk shkoi ndaj Partizanit?

Asgjë nuk shkoi siç duhet dhe ashtu siç e kishim parashikuar ne. E nisëm ndeshjen keq duke pësuar dy gola dhe kjo na vendosi në trysni. Unë mendoj se reagimi ishte i mirë duke arritur të shënojmë, por që nuk ishte e shkruar të merrnim më shumë. Duhet ta hedhim pas krahëve këtë humbje dhe te fokusohemi te pjesa e tjetër e sezonit.

Si e parashikoni ndeshjen ndaj Laçit?

Ndeshjen kundër Laçit e vlerësojmë maksimalisht. Do të jetë një përballje e fortë dhe pritet mjaft e luftuar nga të dyja palët. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për ne që t’i largohemi disi nga fundi i tabelës. Laçi ka një skuadër shumë cilësore, por ne i dimë kualitetet tona dhe do të mundohemi që t’i arrijmë pikët maksimale.

A po rritet besimi në ekip nga ndeshje në ndeshje?

Teuta, edhe në ato ndeshje që nuk ka arritur fitore, ka treguar lojë cilësore, por na ka munguar efikasiteti. Siç ka ndodhur edhe në ndeshjet e tjera, edhe në këtë takim do të futemi për pikët maksimale pasi luajmë në Durrës. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë sepse kampionati është shumë i luftuar dhe duhet të futemi në çdo ndeshje me shumë seriozitet.

Keni një thirrje për tifozët?

Shpresoj se do të jenë në numër sa më të madh, sepse edhe tifozët e dinë se sa të rëndësishëm janë për ne. Tifozët janë një armë shumë e fortë e jona, një motivim ekstra. Shpresoj se me lojë dhe me rezultat të mirë t’i shpërblejmë për përkrahjen që po na japin në çdo ndeshje.

Si e shikoni ekipin në mbylljen e kësaj faze të parë?

Janë edhe shumë pikë në garë, do të luftojmë për të dhënë gjithçka. Do të jenë të gjitha ndeshje të vështira dhe duhet të bëjmë gjithçka. Jam i bindur që shanset i kemi realisht për t’u ngjitur lart pasi ky ekip i ka të gjitha mundësitë.