Teuta ka lënë pas atë humbje ndaj Partizanit dhe ka zbritur në stërvitje për t’u përgatitur për takimin e radhës, që kalendari do ta vendosë përballë Laçit, po në “Niko Dovana”. Gjatë seancës së djeshme, ekipi ka shtuar ritmin e ngarkesës duke qenë se ka kohë deri në fundjavë, kur luhet edhe ndeshja me kurbinasit.Në Durrës e quajnë një sezon të çuditshëm, kjo edhe për faktin se skuadra ndodhet në vendin e fundit pas përfundimit të fazës së parë. Kështu mund të themi se në kampin blu qetësia ka humbur teksa shikon që në nëntë ndeshje gjithsej, janë pësuar 15 gola, më shumë se çdo skuadër tjetër, çka tregon qartë edhe problemet e mëdha që janë në mbrojtje. Teuta është shumë larg ekipit që u shpall kampion dy vite më parë dhe mungesa e stabilitetit është diçka e dukshme.

“Djemtë e Detit” këtë edicion nuk kanë mundur që të marrin asnjëherë dy fitore radhazi, ndërsa një kombinim të tillë nuk e gjejmë nëse përfshijmë dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Madje ekipi është shumë larg sezonit të kaluar dhe për ta vërtetuar mjafton të theksohet se pas 9-të javësh, bregdetarët kanë pësuar 5 humbje. Problem mbeten edhe golat, teksa janë shënuar vetëm gjashtë të tillë dhe listën e golashënuesve e kryeson mbrojtësi Jazxhi. Po ashtu kanë shënuar edhe mesfushorët, ndërkohë deri tani në kampionat nuk është zhbllokuar ende Lorenco Vila dhe Rubin Hebaj ka shënuar vetëm një gol, dhe po ashtu Gruda një të tillë.

Teuta do të presë në shtëpi Laçin, i cili vjen pas një reagimi të mirë ndaj Kastriotit, ndërkohë në Durrës kërkohet që nga kjo sfidë të mos të dilet pa pikë, pasi më tej rreziku do të shtohej edhe më shumë. Pritet një sfidë e luftuar, duke ditur se një hap fals krijon shumë dëme. Pikërisht, këto pasoja do të kërkojë të evitojë skuadra e Teutës dhe kalendari mund t’ia lejojë një gjë të tillë, pasi në harkun e 14 ditëve do të luhen edhe tri takime të tjera, kundër Bylisit në transfertë, me Erzenin në shtëpi dhe Kukësin në transfertë.