“Jam Anisa Markarian. Më nxorrën nga barku i sime mëje me operacion çezarian, sepse isha topolake…”
Kështu nisi promovimi i librit “Shtëpia te selvia” e të mirënjohurës Anisa Markarian, në qytetin e Durrësit.
Në oborrin e vilës shekullore të familjes Tedeskini, në mesin e një rrethi dashamirësish të librit, u lexuan shumë pasazhe nga kujtimet e fëmijërisë së autores.
Markarian ka zgjedhur t’i sjellë rrëfimet e saj të fëmijërisë në vetë të parë, duke krijuar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin e saj.
Oborri i vilës ishte rrethuar nga foto bardh e zi nga fëmijëria e autores, por edhe nga fëmijëria e shumë prej të pranishmëve.
“Shfletimin e albumeve të familjes e kam pasion të hershëm. Fotografitë nuk i kundroj, i përjetoj. Janë si paftat e një mozaiku”, tha gjatë fjalës së saj Markarian.
Ndërsa arsyen se pse kishte zgjedhur Durrësin për promovimin e librit të saj, shkrimtarja e shpjegon kështu:
“Kam marrë mbresa dhe emocione shumë pozitive, të papërshkruara. U mbusha me shumë emocione, jam gati për një libër të dytë. Zgjedhja e Durrësit nuk është e imja, është e miqve të mi. Durrësi është qyteti i dytë i jetës sime. Durrësi e meritonte të isha këtu, por dhe unë e meritoja të isha këtu, e rrethuar nga kaq shumë miq”.
Gjatë ceremonisë, së kuruar me mjaft kujdes nga regjisorja e njohur Driada Dervishi, shumë nga të pranishmit i drejtuan pyetje të ndryshme autores, për të zbërthyer më shumë nga jeta dhe karriera e saj.
M.B.