E diela erdhi ndryshe për vogëlushët e Durrësit, që zgjodhën të kalonin një orë nga paraditja e tyre nën shoqërinë e trupës së Cirkut Kombëtar.
Trupa e akrobatëve u kthye për të dytën herë në qytetin bregdetar, për shkak të kërkesës së lartë të vogëlushëve për të ndjekur live numrat e tyre.
Gerald Shima, një prej akrobatëve të këtij cirku shprehet i lumtur që fëmijët e kanë pëlqyer shumë shfaqjen e tyre dhe për këtë arsye po programojnë të tjera shfaqje në javët në vazhdim në Durrës.
Megjithëse aktiviteti i tyre kryesor është në kryeqytet, trupa e Cirkut Kombëtar ka nisur të japë shfaqje edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Publiku durrsak ka shfaqur interes për 2 shfaqjet e së dielës duke bërë që biletat të shiteshin menjëherë, ndërsa nuk mungon kërkesa për shfaqje të tjera.