Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha ka komentuar operacionin e policisë spanjolle në Elbasan kundrejt disa Call Center-ve të cilët mashtronin qytetarët spanjollë përmes investimeve në bursa.
Në një intervistë për “Abc News”, Hoxha tha se Call Center-at arrinin që të korruptonin policët shqiptarë përmes shumave të konsiderueshme parash që të punonin të pashqetësuar.
Po ashtu, gazetari shtoi se Call Centerat dhe paratë e basteve të Ervis Martinajt ishin burimet kryesore të policëve të korruptuar në Shqipëri.
“Këto Call Centera që mashtronin qytetarët e vendeve të BE-së për gjoja investime ne bursa kanë patur të ardhura të jashtëzakonshme duke korruptuar policinë. Call Centerat dhe paratë e basteve të Ervis Martinajt ishin burimet kryesore të policëve të korruptuar në Shqipëri”, tha Hoxha.
Ndër të tjera, Hoxha tha se policët spanjollë kanë ardhur vetë për kontrolle pasi nuk kanë pasur besim tek autoritetet shqiptare.
“Ata mashtronin qytetarë nga Gjermania, Anglia, Zvicra, Spanja, etj, policët spanjollë nuk kanë patur besim te policia jonë dhe prandaj kanë ardhur vetë. Dihej që puna do të shkonte deri këtu pasi shumat e humbura nga qyetarët e Spanjës ishin të mëdha. Spanjollët kanë identifikuar përmes internetit se nga cila pikë Call Centeri ishin mashtruar qytetarët e tyre”, tha Hoxha duke shtuar se është goditur një objekt i vendosur në katin e tretë të një qendre tregtare në Elbasan.