Një ditë pas protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, duket se çdo gjë është kthyer në normalitet në bulevardin përpara zyrës së kreut të qeverisë.
Punonjësit e Kryeministrisë kanë hequr dyert e blinduara, të cilat ishin vendosur një ditë më parë si masë sigurie në rast të përshkallëzimit të protestës.
Tubimi i djeshëm u shoqërua me incidente të vogla, ku pas përfundimit të fjalimeve, qytetarët çanë kordonin e sigurisë së policisë për të ndezur qirinj tek hyrja e Kryeministrisë.
Kishte edhe nga ata protestues që goditën me shkelma dhe grushte dyert e blinduara. Madje një prej protestuesve u ndalua nga policia, pasi sipas tyre, kishte nxjerrë një thikë dhe po bënte lëvizje të pakontrolluara.
Protestuesit hodhën dhe bojë të kuqe e të zezë në muret e Kryeministrisë. Një ditë më pas, asgjë prej tyre nuk ka mbetur.