Një blogere shqiptare në Londër është vënë në qendër të një investigimi nga tabloidi britanik “The Sun on Sunday”.
Investigimi ekspozon shitjen dhe përdorimin e pasaportave biometrike të falsifikuara nga grupet kriminale me qëllimin kalimin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
2.6000 stërlina thotë “The Sun on Sunday”, është çmimi pasaportave biometrike europiane të cilat iu shiten emigrantëve shqiptarë.
“Emigrantët ilegalë janë duke përdorur high-tech pasaporta për të hyrë në Angli. Ekspertë të pasaportave biometrike të punësuar nga grupet kriminale shqiptare në trafikun e njerëzve, munden të vendosin në chipat e pasaportave të dhënat e personit që e blen e udhëton”, shkruan “The Sun on Sunday”.
Gazetari Nick Parker thotë se atyre iu ofrua nga një shqiptar, një pasaportë bashkë me ID dhe patentë për shumën e 2600 stërlinave, një shumë kjo më e vogël sa pagesa e kalimit me gomone.
Në investigim, theksohet se një vajzë e re shqiptare reklamon në Tik Tok shitjen e këtyre pasaportave dhe tregon përmes videove që poston, jetën e saj të shtrenjtë në Angli.
“Ion Daci me 239.700 ndjekës në Tik Tok përdoret nga gangsterët shqiptarë për të reklamuar hapjen e llogarive bankare, atë të blerjes së pasaportave dhe ID të falsifikuara” shkruan the Sun on Sunday duke e quajtur këtë mënyrë hyrjeje në Angli si “një hap përpara përpjekjeve të kryeministrit Rishi Sunak për të mbyllur udhëtimet me gomone”.
Gazetarët e “The Sun” kanë hyrë në bisedë përmes What’sapp me një shqiptar i cili është dakordësuar të presë “klientin” e ri i cili duhet të paguante paraprakisht një depozitë momentin kur i merren shenjat e gishtave dhe të dhënat biometrike”.
Shitësi i këtyre pasaportave, i pyetur nëse të tilla pasaporta janë të suksesshme për kalim në Angli është shprehur se “po më së shumti me pasaporta bullgare”.
“The Sun on Sunday”, thotë se të dhënat e këtij investigimi i kanë kaluar Ministrisë së Brendshme Home Office e cila ka premtuar ta hetojë rastin e zbuluar nga gazetarët.