Trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës mori dy trofe shumë të rëndësishëm në Takimin e III-të Teatror Mbarëkombëtar, të zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës pak ditë më parë.

Komedia “Martesa” u shpall nga juria “Shfaqja më e mirë”, ndërkohë që aktori Amos Zaharia u shpall “Aktori jo protagonist më i mirë”.

Emocionet e pritjes mjaft të mirë që i bëri publiku, por edhe vlerësimi maksimal nga ana e jurisë janë ende të pranishme tek e gjithë trupa e aktorëve, por edhe tek i gjithë stafi mbështetës që bëjnë të mundur që “Martesa” të jetë një nga shfaqjet më të ndjekura dhe të vlerësuara 6 vite pas premierës së saj në Durrës.

Për të mësuar më shumë mbi përfaqësimin në këtë festival mbarëkombëtar të teatrit, “DurrësLajm” intervistoi regjisoren e shfaqjes, Driada Dervishi.

“Çmimi më i madh për ne ishte çmimi i publikut”,- thotë ndër të tjera Dervishi, ndërkohë që thekson se artdashësit kishin zënë radhë që në orën 5.30 për të blerë biletë.

“Kjo është një fitore e madhe e teatrit. Trupa jonë, në viitet e fundit është vlerësuar në çdo festival. Këtë nuk e them për të qenë mendjemëdhenj, por modestisht shpreh gjithë punën tonë, përkushtimin e madh që tregojmë për teatrin dhe sesi për hir të së vërtetës, megjithëse kritika mungon, duhet ta themi me të madhe që kemi një nga trupat më të mira në Shqipëri”,- tha më tej regjisorja e njohur durrsake.

Prej gjashtë vitesh komedia “Martesa” e Anton Çehov vijon të qendrojë në repertor duke u vlerësuar në këtë rrugëtim të bukur me 5 çmime të ndryshme.

Vlerësimet më të fundit duket se do ta angazhojnë të gjithë trupën në projekte të reja artistike.

“Ishte një vlerësim unanim i jurisë si për shfaqjen më të mirë, ashtu dhe për Amos Zaharia si aktori më i mirë protagonist. Çdo çmim është vlerësim, por për mua është përgjegjësi për të vijuar më tej”,– thotë ndër të tjera Dervishi.

Çmimet e komedisë “Martesa” ndër vite:

“𝘙𝘦𝘨𝘫𝘪𝘢 𝘮𝘦̈ 𝘦 𝘮𝘪𝘳𝘦̈” 𝘯𝘦̈ “𝘒𝘰𝘒𝘰𝘍𝘦𝘴𝘵” 2016.

“𝘈𝘬𝘵𝘰𝘳𝘫𝘢 𝘮𝘦̈ 𝘦 𝘮𝘪𝘳𝘦̈ 𝘫𝘰 𝘱𝘳𝘰𝘵𝘢𝘨𝘰𝘯𝘪𝘴𝘵𝘦”; 𝘈𝘥𝘦𝘭𝘪𝘯𝘢 𝘔𝘶𝘤̧𝘢, “𝘒𝘰𝘒𝘰𝘍𝘦𝘴𝘵” 2016

“𝘊̧𝘮𝘪𝘮𝘪 𝘪 𝘱𝘶𝘣𝘭𝘪𝘬𝘶𝘵” 𝘍𝘦𝘴𝘵𝘪𝘷𝘢𝘭𝘪 𝘔𝘣𝘢𝘳𝘦̈𝘬𝘰𝘮𝘣𝘦̈𝘵𝘢𝘳 𝘪 𝘛𝘦𝘢𝘵𝘳𝘪𝘵 “𝘔𝘰𝘪𝘴𝘪𝘶 𝘖𝘯” 2021.

“Shfaqja më e mirë” Takimi III Teatror Mbarëkombëtar, 2022

“Aktori më i mirë jo protagonist” Amos Zaharia Takimi III Teatror Mbarëkombëtar, 2022