Zyrtarisht shpejtësia e lejuar në autostradat shqiptare vendoset deri në 130 km/orë. Me asnjë votë kundër u miratua në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin këtë të martë vendimi për ndryshimin e shpejtësisë në autostrada.

Ky vendim ishte një ndër pikat e propozuara për ndryshim në Kodin Rrugor nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Shpejtësia e lejuar në autostrada deri më sot ka qenë në kufirin 110 km/orë.

Sipas deputetëve, por dhe ekspertëve të sigurisë rrugore në komision, autostradat në Shqipëri i kanë kushtet për lëvizjen e automjeteve në këtë nivel shpejtësie.

Për qytetarët deri në 70 vjeç do t’u lejohet mbajtja e patentës. Ky vendim bëri që kohëzgjatja të ndryshohet nga mosha 65 vjeç deri në 70 vjeç.

Ndër vendimet e tjera të miratuara në këtë komision është dhe lejimi i mbajtjes së dy patentave.

Kushdo qytetar shqiptar që zotëron një patentë të huaj të mos i hiqet e drejta për të mbajtur dhe atë të vendit të lindjes.

Në komision u diskutua dhe evidentimi i monopatinave në autostrada dhe rrugët interubane. Deputetët sugjeruan që të vendosen rregulla për këta udhëtarë.