Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka thënë në emisionin “Log”, se situata e përmbytjeve në zonat më të prekura është drejt përmirësimit.
Çako tha se masat janë marrë në gjithë vendin, ndërsa shpjegoi se në këtë rast nuk ishte aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane.
“Situata është drejt përmirësimit. Ka në rënë nivelet e prezencës së ujit në lumin Drin, por edhe në Kir edhe në Gjadër. Masat janë marrë dhe janë prezente të gjithë institucionet në vend.
Një situatë e pazakontë që buron nga faktorë natyrorë, por edhe faktor të trashëguar. Faktorë natyrorë kam parasysh nivelin e reshjeve. Masat janë bërë dhe raportet janë dhënë në mënyrë periodike”, tha Çako.
Çako vuri gjithashtu në dukje se nuk është nevoja e shpalljes së fatkeqësisë natyrore rajonale në zonat ku ka pasur përmbytje.
Kujtojmë që deputetë të opozitës kanë kërkuar të shpallet fatkeqësia natyrore rajonale në qarqet Shkodër e Lezhë, të cilat kanë qenë më të prekurat nga përmbytjet.