Ndërtimi i Sistemit të Menaxhimit të Aseteve Rrugore ishte një nga elementët më të rëndësishëm të projektit që Banka Botërore ka diskutuar me palën shqiptare gjatë financimit të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve në bazë performance.
Por duket se kompania e kontraktuar për të ndërtuar këtë sistem nuk ka arritur ta çojë deri në fund sipas specifikave të kërkuara duke bërë që ky sistem të quhet i papërfunduar.
Në një përmbledhje të fundit që Banka i bëri projektit të mirëmbajtjes së rrugëve në bazë performance pikërisht ndërtimi i sistemit ishte një ndër ato që sillet në vëmendje dhe ku nënvizohet se tashmë Autoriteti Rrugor Shqiptar po shkon drejt zgjidhjes së kontratës me kompaninë.
“Gjatë misionit u diskutuan disa çështje të menaxhimit të kontratave me ARRSH/PMT. Ekipi i Bankës rikonfirmoi se në lidhje me kontratën “Furnizimi dhe Instalimi i Sistemit të Menaxhimit të Aseteve Rrugore (RAMS) në Shqipëri” të nënshkruar me JV. “Finnish Overseas Consultants (FinnOC)” Ltd & “R& T sh.p.k, ARRSH/PMT duhet të ndërmarrë hapin formal për zgjidhjen e kontratës. U rekomandua që ARRSH/PMT duhet të konfirmojë nivelin e përfundimit për secilën prej dorëzimeve të paraqitura nga Konsulenti dhe të arrijë një marrëveshje me Konsulentin për përqindjen e pagesave që pretendohen”, thuhet në dokument.
Po kështu i njëjti shton se përmirësimet e sistemit do të bëhen me projekt vijues.
Lidhur me mirëmbajtjen e rrugëve në bazë performance që u bë me kontrata model 5 vjeçare Banka vërën se ecuria ka qenë e mirë dhe se ky model po aplikohet tashmë nga qeveria me kontrata 4 -vjeçare.
“Produkti dhe Kontratat e Mirëmbajtjes Rrugore të bazuara Performancë (OPRC) u përfunduan me sukses në Mars 2022, duke mbuluar 1,332 km rrjet të Rrugëve Kombëtare Primare dhe Primare-dytësore. Sipas kontratave, ARRSH kryente mirëmbajtjen rutinë dhe periodike përmirësime rrugore dhe të masave të sigurisë, mirëmbajtje emergjente dhe dimërore, si dhe rehabilitim të seksioneve të veçanta në gjendje të përkeqësuar.
Mbështetur në përvojën e mirë të fituar nga mirëmbajtja në bazë performance ministria dhe ARRSH vazhduan qasjen e këtyre kontratave duke i financuar ato nëpërmjet alokimeve të qeverisë në buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm për të gjithë rrjetin.
Kontratat e reja janë projektuar për një periudhë 4 vjeçare duke përdorur standarde të njëjta të performancës operacionale, sistem meritash të të metash, specifikimet teknike, etj. Buxheti shumëvjeçar për kontratat vlerësohet në rreth 17 milionë dollarë në vit” thuhet në dokument.
Po kështu Banka bën një përmbledhje të elementëve që janë arritur me sukses dhe atyre që s’ia kanë dalë.
“Raporti i arritjeve u përgatit nga konsulenti më 18 tetor 2022 dhe u rishikua nga Banka. Kjo tregon se ARRSH ka arritur objektivat për mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, arriti pjesërisht zhvillimin dhe funksionalizimin e një Sistemi të Transparencës Sociale, dhe nuk arriti të krijonte RAMS-in dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të nivelit të shërbimit ndërmjet Ministrisë dhe ARRSH-së” thuhet në dokument.
Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve në bazë performance u miratua nga banka në mars 2015 dhe u bë efektiv në shtator të po atij viti. Pavarësisht miratimit nisja e projektit vonoi deri në vitin 2017 për shkak se kishte probleme me raportimin për gjendjen reale të rrugëve të përfshira në projekt prej 1332 kilometrash.
Banka mbështeti me një kredi rreth 66 milionë euro këtë projekt ndërkohë që një pjesë tjetër e financimit u dha nga buxheti i shtetit./Monitor