Jo vetëm rrugë të bllokuara, izolim total i Tiranës, por edhe mënyra se si do të organizohet Policia do të jetë thuajse e pa evidentuar më herët. Ardhja në Tiranë e krerëve të vendeve të BE-së bashkë me delegacionet e tyre, por edhe lajmërimi i një proteste nga ana e opozitës, ka bërë që Policia me direktivat e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme të bëjë të mundur mos hyrjen në Tiranë nga asnjë rrugë.
Të vetmet mjetet që janë të lejuara përgjatë gjithë ditës së sotme për të lëvizur në atë që është konsideruar perimetri i sigurisë, që nis në Durrës, duke pasur kufi Rinasin, Urën e Institutit dhe nga krahu i tjetër, Unazën e Madhe në Sauk, janë vetëm mjetet e Policisë dhe ambulancat. Ndërkohë që thuajse e pamundur do të jetë dalja në punë nga zonat e largëta të Tiranës, e po ashtu edhe lëvizja me qëllim periferinë.
Nga ajo çfarë shihet në masat e herëpashershme që janë publikuar nga Policia e Shtetit vihet re se vetëm rruga e Paskuqanit do të jetë e hapur për të bërë të mundur aksesin në drejtim të dy spitaleve kryesore të vendit, atë të traumës dhe për te Qendra Spitalore. Ndërsa ende nuk dihet se si do të orientohet trafiku në një rrugë vetëm dykalimeshe. Po ashtu, bëhet me dije se përgjatë ditës së sotme, edhe kalimtarët nëpër zonat ku do të ketë kontrolle policore duhet të jenë të pajisur me mjete identifikimi, ndërkohë që Policia nuk është vetëm me orë e forca shtesë, por edhe me plane konkrete veprimi.
Masa janë konkretizuar që ditën e djeshme kur kanë nisur të vijnë delegacionet e para në drejtim të vendit tonë. Në rrugë, tarraca pallatesh, në perimetrin e vendit ku do të qëndrojnë delegacionet dhe vendin ku do të zhvillohet Samiti do të jenë të përqendruar edhe organe të tjera të ruajtjes së sigurisë, si Shërbimet Sekrete, Garda, si dhe sektorët e veçantë të Policisë së Shtetit.
Zyrtarisht, Policia e Shtetit bëri me dije dirën e djeshme se “për mjetet e emergjencave mjekësore dhe emergjencave civile nuk do të ketë pengesa, përveç kontrolleve policore në perimetrin e sigurisë do të jenë të kontrolluara nga punonjësit e Policisë. Bllokimi i trafikut dhe devijimi në autostradat dhe rrugët interurbane që të çojnë drejt Tiranës, fillon në orën 07:00, ndërsa në qytet në perimetrin e sigurisë duke filluar nga ora 06:00 dhe në rrugët e tjera që përfshihen në itinerarin e lëvizjeve në orën 08:00. Çdo lëvizje e domosdoshme me mjet sugjerohet të bëhet përpara këtij orari dhe të evitohen lëvizjet në rrugët që do shoqërohen me bllokime dhe devijime për motive sigurie”.