Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zbuloi nga Tirana paketën e ndihmës ekonomike që Bashkimi Evropian ka parashikuar për Ballkanin Perëndimor për të përballuar krizën energjitike dhe pasojat e luftës në Ukrainë.

Gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, von Der Leyen deklaroi se paketa e ndihmës për rajonin do të jetë 1 miliard euro, ku 500 milionë do të shkojnë si ndihmë buxhetore për të ndihmuar familjet dhe bizneset për rritjen e çmimit të energjisë, ndërkohë që 500 milionë të tjera do të shkojnë për përmirësuar infrastrukturën dhe energjinë e gjelbër.

“Mbështetja jonë për rajonin vjen nga zemra dhe besojmë se duhet të punojmë së bashku. Ne duam ta jetojmë jetën së bashku. Një mesazh shumë i qartë i këtij samiti është e të qenit së bashku. Një samit partneriteti me biseda të thella dhe të qarta. Një temë madhore që diskutuam është përballemi me sfidat e luftës dhe pasojat e saj në sektorin e energjisë. Ne përballemi me këtë sfidë së bashku. Gjithçka që do bëjmë ne në BE, do të reflektohet edhe në Bashkimin Evropian. Prandaj kjo paketë 1 miliardë euro është e ndarë në dy pjesë 500 milionë ndihmë buxhetore që do të shkojë si ndihmë për bizneset dhe familjet, dhe 500 milionë euro të tjera do të shkojnë drejt infrastrukturës dhe energjisë së gjelbër. Energjia e gjelbër sjell edhe vende të reja  pune dhe heq varësinë energjitike nga vendet e tjera.

Përveç energjisë kemi dhe një kuadër më të gjerë që ju e keni dëgjuar në fushën e transportit dhe të furnizimit me ujë. Kemi miratuar dje 40 projekte të rëndësishme dhe ky plan i investimeve po ecën në drejtimin e duhur.

Ne me zemër mbështesim procesin e integrimit, kemi parë shumë progres këtë vit, kemi parë konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përveç kësaj ecurie natyrisht që ka dhe një çështje që ka të bëjë me integrimin ekonomik dhe ju përgëzoj për progresin e bërë gjatë muajve të fundit”, tha von Der Leyen.