12 dyer, si 12 pikë ndalesa turistike pjesë e një itinerari që do të hedhë më shumë dritë mbi historinë e Durrësit. Ky është projekti i prezantuar pasditen e së martës në MuzehLab, në prani dhe të përfaqësuesve të disa prej familjeve të vjetra të qytetit.

E veçanta e këtyre dyerve është se nuk janë në formën e tyre klasike, por të punuara me shtiza e grep nga disa artizane që prej vitesh e ushtrojnë këtë aktivitet.

“Projekti konsiston në krijimin e një shtegu turistiko-kulturor për qytetin e Durrësit, i cili do të risjellë 12 dyer të 12 banesave të qytetarëve të Durrësit. Janë 12 dyer të braktisura tanimë për shkaqe nga më të shumta dhe qëllimi ynë ishte që t’i risjellim këto dyer duke patur parasysh formate të reja inovative”,- tha për “DurrësLajm”, Dorina Xheraj.

Deri tani janë realizuar 5 dyert e para, të cilat ishin ekspozuar në MuzehLab. Procesi ka qenë i veçantë për artizanet e angazhuara në to, sepse është krejt ndryshe nga punët e realizuara deri më tani prej tyre.

Për ne në fillim ishte pak skeptike, shumë sfiduese, sepse vetëm ideja që do të bënim një derë që ishte goxha antike na u duk diçka uau. Shkuam dhe i pamë dyert nga afër, dhe kështu nisi avash avash të hynim në idenë se si mund ta realizonim derën antike.”– tha atizania Erizmarina Kasa

“Ky ishte një projekt i ri për ne, ishte një gjë re, nuk e kishim bërë ndonjëherë. Arritëm ta realizojmë. Kemi parë të gjitha dyert e qytetit shumë të bukura, por ne i sollëm në një mynyrë të re, si nga ngjyra dhe nga punimet”, na tregon artizania Myzejen Rexhepi.

Projekti që mbështetet nga EU4Culture dhe zbatohet nga MuzehLab dhe “Durrësi Aktiv” ka gjetur mirëkuptimin edhe të pronarëve të shtëpive të vjetra të Durrësit, dyert e të cilëve do të rijetësohen në 12 instalacione. Dy prej tyre rrëfyen pak nga historiku i dyerve, disa prej të cilave gati 200-vjeçare.

Përfaqësuesja e bashkisë Durrës, Floreta Kërtusha u shpreh e gatshme të japë mbështetjen e institucionit të qeverisjes vendore për finalizimin e këtij projekti, që synon t’i ofrojë turistëve të huaj një guidë turistiko-kulturore në zonën historike të qytetit 3000-vjeçar.

M.B.