Një 23-vjeçar shqiptar, i cili ishte arrestuar për trafik droge, është dënuar me 12 muaj burg në Britaninë e Madhe.

Sipas mediave të huaja i riu Renaldo Shyti, thuhet se kryente rolin e transportuesit të drogës.

Shyti u kap nga policia teksa ishte ulur në një parkim makinash në Suffolk Retail Park më 8 tetor të këtij viti dhe kur oficerët e policisë kontrolluan makinën e 23-vjeçarit gjetën në derën e shoferit 22 doza kokaine të mbështjella në një çorapë.

Një ekspert vlerësoi se mbështjelljet mund të ishin shitur në marrëveshje rrugore me 40 £.

Shyti i tha policisë gjatë arrestimit se lënda narkotike nuk ishte e tij dhe se dikush e kishte detyruar që t’i mbante mbështjelljet.

Gjatë intervistave të policisë ai tha se kishte qenë i pastrehë dhe i ishte kërkuar të dorëzonte drogë në Ipswich pasi kishte një borxh prej 5,000 £.

Gjykata u njoh mes të tjerash dhe me faktin se i riu para se të vinte në Britani, kishte qenë duke vijuar studimet për laborant dentar në vendin tonë.