Projekti Durrës Yacht Marina, të cilin qeveria Rama është e vendosur ta bëjë realitet, zhvendos në Porto Romano portin tregtar.

Brenda 3 viteve të ardhshme pritet të realizohen punimet për fazën e parë të projektit që konsiston në shtimin 3-fish të kapaciteteve, thotë drejtori i APD, Pirro Vengu duke iu përgjigjur pyetjes së “DurrësLajm”.

Sot vijnë rreth 175 mijë TEU në portin e Durrësit, me facilitetin e ri që po ndërtojmë kemi mundësi ta çojmë deri në 400 mijë TEU. Kjo është faza e parë. Kjo vjen përmes gjithë insfrastrukturës parësore, basenit, kanalit, kalatave të reja, terminalit të ri të automatizuar, akses hekurudhor, rrugë, gjithë komponentët që sot i kemi të mbivendosur. Nuk po bëjmë thjesht një port Lego copy – paste, 3-fishim që në fazë të parë”,– deklaroi Vengu.

Në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës janë publikuar shifrat mbi projeksionet 50-vjeçare të zhvillimit të portit, shifra këto shumëfish më të mëdha sesa kapacitetet përpunuese aktuale.

Nëse përgjatë viteve të fundit janë përpunuar mesatarisht 150 mijë kontejnerë dhe rreth 4 milionë ton mallra, drejtori Pirro Vengu flet për një port në projeksion që do të përpunojë 2 milionë TEU dhe 50 milionë ton mallra.

Ne projektojmë për 50 vite, edhe më shumë akoma. Kjo është detyra jonë, kjo është një detyrë parësore e një Autoriteti Portual. Në vitin 2030 kemi 300 mijë TEU. Ky është parashikimi ekonomik. 500 mijë në 2050. Që të kemi 2 milionë TEU në një port shqiptar, patjetër që duhen dekada. 2 milionshin e keni pas 2050″,– tha Vengu

Shifrat duken shumë larg kapaciteteve aktuale përpunuese të porteve më të mira në rajon si Rijeka në Kroaci apo Selaniku në Greqi dhe paksa utopike për realitetin shqiptar, por sipas Vengut shembujt për vizionin e zhvillimit të portit të ri nuk janë marrë nga “mëhalla e Mesdheut”, por nga portet e veriut të Evropës.

Po marrim si shembuj jo çfarë kemi në mëhallën tonë mesdhetare, se unë nuk i konsideroj si shembuj të dobishëm, por portet veriore, që e kanë bërë sukses interland-in portual, jo kalatën, jo aty ku ngarkohet e shkarkohet malli. Nuk është detyrimisht a vjen apo nuk vjen malli në një port. eshtë çështje çfarë prodhohet aty. Malli mund të prodhohet, vlera e shtuar mund të prodhohet aty”,- tha Vengu.

Projekti i portit të ri, i realizuar nga një studio prestigjioze holandeze “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V.”, ka deri më tani të përllogaritur vetëm vlerën e investimit në fazën e parë, që arrin në 390 milionë euro. Kryeministri Rama ka njoftuar se me datë 12 dhjetor do të bëhet prezantimi i projektit përfundimtar për portin e ri tregtar, ndërkohë që pritet që në fillim të vitit 2023 projekti të hidhet në garë ndërkombëtare dhe punimet të nisin në gjashtëmujorin e dytë.

M.B.