Vogëlushes së talentuar nga Durrësi, Ilva Sakollari, i është dorëzuar paraditen e sotme “Medalja e nderit” nga ambasadori çek Karel Urban.
Nxënësja e klasës së katërt në shkollën “Viçens Prendushi” mori pjesë pak muaj më parë në konkursin ndërkombëtar të fëmijëve, të organizuar në Lidice, Çeki.
Tematika e konkursit ndërkombëtar të artit ishte “Muzeu” dhe piktorja e vogël Sakollari u prezantua me pikturën “Bukuroshja e Durrësit”.
Punimi i Ilvës është vlerësuar mjaft mirë nga juria e konkursit duke e cilësuar një vepër arti mjaft e arrirë.
Mes 14.500 punimeve të paraqitura në konkurs, 1.200 prej tyre u vlerësuan me çmime.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambasadën çeke për dorëzimin e çmimit, Ilva i dhuroi ambasadorit çek një tjetër pikturë të realizuar së fundmi prej saj, të titulluar “Vajzat shqiptare dhe çeke duke kërcyer”.
“Unë kisha shumë emocione, por edhe ndihesha krenare për veten time. U lumturova shumë kur mora çmimin me pikturën “Bukuroshja e Durrësit” dhe më erdhi mirë që ambasadorit i pëlqeu shumë dhurata. Dua të falenderoj edhe mësuesen time të pikturës, Aselin, që më ka ndihmuar ta realizoj atë”,- thotë Ilva për “DurrësLajm”.
Në një twitter të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, ambasadori çek tregon se piktura e vogëlushes nga Durrësi, ku shfaqen dy vajza të veshura me kostumet popullore të Çekisë dhe Shqipërisë duke kërcyer, qëndron e varur tashmë në murin e zyrës së tij.