Teuta arriti të mposhtë Tiranën duke lënë kështu vendin e fundit në kampionat. Pas ndeshjes ka reaguar trajneri i durrsakëve Edi Martini.

Ai u shpreh se pikët ju rrisin moralin, por kjo nuk do të thotë se duhet t’ju rritet euforia.  

“Arsyeja e vetme që fituam është falë  shpirtit të garës dhe fuqisë së djemve. E shohim njëri-tjetrin në sy e dimë se sa mund të japim. Nuk duhet të fluturojmë pasi jemi akoma në periudhë të vështirë. Na pret një ndeshje e vështirë në Shkodër, cdo ndeshje është një luftë e madhe, duhet të ulim kokën dhe të punojmë. Këto 6 pikë na rrisin moralin, por jo aq sa të na rritet euforia. Me Vllazninë do luftojmë dhe të fitojë më i miri. Dy mbrojtësat e qëndrës janë të majtë, por duhen sakrifica, e rëndësishme është të mos pësonim gol, pavarësisht se duhet të rikuperojmë akoma pikë të humbura. Nuk është e lehtë të ndërrosh skemë, por ne ja dolëm. Duhet të flasim për të vendosur nëse do të blejmë në merkato apo jo, dhe nëse vendosim do të jetë brenda kampionatit shqiptar. Përsa i përket golit të anuluar ajo është një kapje e vogël dhe nuk mund të anulohet goli për mua, por sistemi VAR e di më mirë”, u shpreh Martini.