“Vinçens Prendushi ishte një njeri i dashtun, i përzemërt, i qeshun dhe bujar. Për të thuhej prej të gjithëve se ishte i vetmi njeri që nuk kishte kurrnji armik”.
Me këto fjalë të shkëputura nga vepra “Françeskanët e mëdhaj” të at Zef Pllumit për kolegun e tij Vinçens Prendushi, të cilat u lexuan nga bibliografia Teuta Dhima, zbulohet shumëçka nga ajo që e karakterizonte atin françeskan.
Sot, të mbledhur në kon-katedralen Shën Luçia në Durrës, ku prehen eshtrat e at Vinçensit, personalitete të njohura të letrave shqipe u përulën me respekt ndaj këtij martiri.
“Figura të tilla jetojnë më shumë në harrim, sesa në kujtesë. Kjo është dekurajuese edhe për të gjallët kur e mendon”,- tha ndër të tjera shkrimtari Preç Zogaj.
Pelegrinazhi i 9-të i klubit të poezisë kishte për qëllim të nderonte një tjetër figurë të shquar të shqiptarisë, për t’i nxjerrë ata nga tisi i harresës.
At Vinçens Prendushi u mbyt në burgun e Durrësit më 19 mars 1949 dhe u varros në ambientet e kon-katedrales. Siç theksoi gjatë fjalës së tij dom Mariani, famulltari i kësaj kishe, ky vend është kthyer në një panteon për Shqipërinë për shkak të figurave të shquara që prehen në të. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe shkrimtari Besnik Mustafaj:
“Prania e eshtrave të këtyre dy burrave këtu (Dom Nikollë Kaçorrit dhe Vinçens Prendushit) e shndërron këtë vend në panteon dhe panteoni është vend kujtese, vend përuljeje dhe është vend, ku kombi i shpreh mirënjohje bijve të vet më të shquar”
Duke u ndalur tek mesazhi që përcjell peligrinazhi i klubit të poezisë, që ka nderuar figura si Havzi Nela, Gjergj Fishta, Lef Nosi, etj, shkrimtari Bashkim Hoxha tha se aktivitete të tilla duhet të ndikojnë për të ndryshuar propagandën se kleri katolik ishte kundër Shqipërisë.
“Këto peligrinazhe, duke nënvizuar këto vlera na afrojnë tek të vërtetat reale, tek realitetet e historisë sonë, ku besimi fetar nuk ka qenë kundër shqiptarizmës, përkundrazi besimi fetar ka qenë një ndër vlerat, të cilat kanë udhëhequr shoqërinë me intelektualitet drejt shqiptarizmës”,– tha Hoxha.
Ndërkohë, autori Vaso Papaj solli në vëmendjen e të pranishmëve disa kujtime të përcjella tek ai nga babai i tij, që kishte vuajtur dënimin në burgjet komuniste bashkë me at Vinçens Prendushin.
Më pas Klubi i poezisë zhvilloi një vizitë edhe në Bibliotekën Publike të Durrësit, ku dhuroi setin e revistës “Illz”.
M.B.