Ikona e stilit britanik, Vivienne Westwood, ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare.
Stilistja britanike, ikona e stilit Vivienne Westwood ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare në shtëpinë e saj në Londër. E cilësuar si “Mbretëresha e Ekstremeve”, për botën e modës, ajo ishte një personazh i dashur që theu kufijtë e industrisë.
Në 1992 ajo mori “Urdhrin e Perandorisë Britanike” nga Mbretëresha. Në prill 1989, spikati me kopertinën e revistës “Tatler”, e veshur me një kostum Aquascutum që ajo tha se ishte menduar për Margaret Thatcher.
Vivienne lindi në Derbyshire, Angli më 8 prill 1941. Nëna e saj punonte si endëse në mullinjtë lokalë të pambukut; babai i saj vinte nga një familje këpucarësh. Ajo filloi të bënte rroba për veten e saj që adoleshente.
Pas një mandati në Harrow Art School, ajo punoi si mësuese e shkollës fillore dhe u martua me një punëtor të fabrikës, Derek Westwood, në 1962. Por gjithçka ndryshoi kur ajo la burrin e saj dhe u takua me Malcolm McLaren në 1965.
“Ndihesha sikur kishte kaq shumë dyer për të hapur dhe ai kishte çelësin e të gjithave”, tha ajo për Newsweek në 2004.
Është e pamundur të imagjinohet Britania e viteve 1970 pa partneritetin e tyre krijues. McLaren menaxhoi Sex Pistols dhe nga një dyqan në King’s Road të Londrës, Westwood ndihmoi në zhvillimin e një gramatike vizuale për lëvizjen punk.
Shkrimtari Peter York e pasqyroi atë në një dokumentar të vitit 1990: “Të gjitha gjërat që e ushqejnë atë dhe të gjitha obsesionet në punën e saj janë tipike britanike: Gjithçka rreth klasave dhe obsesioni i veçantë me Mbretëreshën”.