Ka udhëtuar nga jugu i Italisë për të hapur ekspozitën e saj të parë në Durrës “Natyrë njerëzore” (Umana natyra).

Po flasim për piktoren Suela Niosi, që mbrëmjen e së enjtes solli 30 tablo të saj para artdashësve, të punuara në harkun e 4 viteve të fundit.

Në shumë nga tablotë shpërfaqet figura femërore e ndërthurur me natyrën, që krijon një simbiozë mjaft domethënëse.

Më pëlqen shumë natyra dhe fytyrat e grave, prandaj kam krijuar një miksim mes të dyjave”,- thotë Suela.

Ngjyra e kaltërt është e pranishme në çdo tablo të punuar me akrilik dhe kjo për një arsye shumë të fortë.

“Jam rritur gjithnjë afër detit dhe për mua bluja përfaqëson detin. Përfaqëson jetën time, fëmijërinë time. Do jetë një element gjithnjë i pranishëm tek unë”.

Megjithëse e lindur dhe e rritur në vendin fqinjë, e bija e një admirali të marinës italiane dhe një vajze të bukur nga Durrësi nuk i ka humbur lidhjet me origjinën e saj.

Për mua Durrësi është si një shtëpi e dytë dhe ndihem krenare për këtë”,- thotë Suela, ndërkohë që simbolet kombëtare si shqiponja apo përkrenarja e Gjergj Kastriotit zënë vend në tablotë e saj.

Një autodidakte në pikturë, Suela thotë se kjo nuk do të mbetet ekspozita e saj e vetme.

Gjatë mbrëmjes, ajo u nderua me një certifikatë nga Shoqata Ndërkombëtare e Policisë (IPA), e cila iu dorëzua nga presidenti Skëndër Doda.

M.B.