Nga BUJAR QESJA

Na ka marrë malli t’i shikojmë në kujtesë, por edhe në kësi pamjesh të rralla. Janë shokët e prindërve tanë. Por fati ishte me ne, kur i kemi njohur, u kemi dëgjuar zërin, kemi shkëmbyer ato fjalë që nuk mund të harrohen.

E vështroj këtë foto të rrallë. I kanë hedhur krahët njëri tjetrit. Ëmbëlsia e miqësisë dhe shoqërisë së tyre, ia kalon edhe mjaltit. Qyteti shkundej kur kalonin artistët e tij, kur kalonte Nikolin Xhoja dhe Todo Thanasi.

Nuk më harrohet Todi Thanasi, teksa qendronte para teatrit dhe kur kaloja pranë tij, krijonte atë humorin e natyrshëm plot lëng jetësor, duke shprehur afrimitet dhe dashuri.

– Hë mor djali i Xhafës, si ka qenë baba? Po në shkollë si po ja çon? Ma përqafo babën dhe ke të fala nga Todi thuaj!
Po kështu edhe Nikolini. Kohët e bukura i bëjnë artistët e thjeshtë të popullit, siç ishin miqtë e shokët e thekur Nikolini dhe Todi. Xhoja “Artist i Popullit”, mrekullia e aktrimit i Teatrit “A. Moisiu”. Arti i tij i pakonkuruar. Jetoi pak, shumë pak.

Vetëm 61 vite. Lindi në Brindizi me 12 maj 1926 dhe na la mallin e pashuar, me 27 tetor 1987. Eh Nikolin Xhoja!
Todi Thanasi, lindi në Pogradec me 8 shkurt 1928 dhe na la në shpirt portretin gjithnjë të bukur, gjithnjë të gjallë me 18 shkurt 1982. Todi Thanasi me 8 shkurt 2023, është në 95 vjetorin e lindjes. Jeta e tij u krijua dhe u shua brenda 54 viteve.

Aktor, dramaturg, nismëtari i parë për krijimin e arkivës së teatrit. Meritë e madhe historike e tij këtu, ku breza të tëra mjeshtrash të skenës durrsake, janë vendosur në mos harresë.
Dyshe e madhe e skenës, por edhe e qytetarisë durrësake. Djali i Xhafer Qesjes, mikut të madh tuajin, tash i duhet të mos e ndalë penën dhe t’u vendosë në ballë të kujtesës. Jeni mjeshtërat tanë. Jeni të mëdhenjtë tanë. Jeni historia e jonë e kulturës.

Dhe si një betim, i mbyllim të prekur këto rradhë si amanet, me një përfundim logjik, me një përfundim të detyruar qytetar, me një përulje të domosdoshme para vlerave tuaja si artistë dhe si njerëz.
Ju duam shumë, me shpirtin e pashuar të vlerësimit dhe mirënjohjes! Të paqëm në qetësinë tuaj, të pashuar në mallin tonë!

Bujar Qesja

Durrës: 8 shkurt 2023

Në pamje, nga e majta: Nikolin Xhoja dhe Todi Thanasi.