111-vjetori i lindjes së doktorit të popullit po ofron
-Skulptura e Luan Berhamit mbetet ende në studio
…Por ajo çka mbetet për t’u shlyer, është ky detyrim. Hysen Bulku duhet të mbetet i gjallë ndër të gjallët. Bëjeni këtë të nderuar!

Nga BUJAR QESJA

Më 12 gusht 1912, është lindur në Shijak Hysen Bulku. Me 12 gusht 2023, është në 111 vjetorin e lindjes. Se cili është Cen Bulku, është e tepërt ta komentojmë. Figura e tij mbetet me shkëlqimin e pavenitur, të humanistit dhe përkushtuesit më të pazakontë në Shqipëri. Shijaku dhe shijakasit janë me fat, që ky njeri i çquar të jetë bir i tyre.
Doktori popullor, doktori pa diplomë, 100 herë më i vlefshëm se doktori i pavioneve Hysen Bulku, ka bërë mrekulli. Si një magjistar, ai e bekonte e më pas e shëronte të sëmurin, duke e kthyer në optimizmin e mëparshëm të jetës.
Fama e Cen Bulkut, jo vetëm kishte kaluar kufijtë e Shijakut, jo vetëm që kishte kaluar kufijtë e Durrësit, por i sigurtë jam që kishte kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë. Duart e tij çudibërëse, kanëe shpëtuar nga gjymtimet me mijëra e mijëra njerëz, duke i bërë siç ishin para dëmtimeve.
Edhe ditën që u nda nga jeta me 27 dhjetor 1988, Babë Ceni vizitoi 25 pacientë. Dhe u shtri në minder për t’u shplodhur pak, për të mos u ngritur Ëngjëll lindi dhe si engjëll shkoi në banesën e fundit, për të mbetur gjithnjë i përjetshëm.
Pëllumb Bulku, ortopedi i njohur, djali i Cenit të Madh të Shijakut, kujton fjalët e fundit të të jatit para se të sosej.

Pëllumb më duket se po bie dera. Dil e shiko se kush është. Shko e shërbeju njërëzve se ato kanë halle, kanë dhimbje!
Hysen Bulku është kosnideruar “Doktori i Vegjëlisë”, “Nënë Tereza e Shijakut” “Njeriu i Ndereve mbi Ndere”. I pashembullt në atë çka zotëronte dhe në atë çka dha. Hysen Bulku është “Qytetar Nderi i Shijakut”. Hysen Bulku është edhe “Nderi i Qytetit të Durrësit”. Por ajo që i dha shkas këtyre rradhëve është një fakt që njihet, por pa dashur apo kushedi se çfarë tjetër është lënë në harresë.
Mjeshtri shijakas i skulpturës Luan Berhami, ka punuar një bust të Babë Cenit. Pritet të derdhet në bronz. Skulptori durrsak Qazim Kërtusha, është i gatshëm të bashkëpunoj me Luan Berhamin, që të bëjnë edhe një shtatore të Cen Bulkut, duke e përjetësuar në art këtë gjigand të mjekësisë popullore.
Nënvizimi i këtyre rradhëve, niset në drejtim të Bashkisë së Qytetit të Shijakut. Është marrë më parë një vendim, për të vendosur këtë bust në qendër të Shijakut. Me pak përpjekje, mund të kthehet edhe në shtatore.
Merreni përsipër të nderoni, jo vetëm gjigandin e mjekësisë ortopedike Hysen Bulkun, por edhe qytetarinë shijakase që shikon shembullim më argumentues të humanizmit njerëzor.
111 vjetori i lindjes së Cen Bulkut nuk është larg. Të mos presim gjatë. Vitet kalojnë dhe detyrimet për të realizuar këtë përjetësim, shtohen edhe më shumë. Jam i sigurtë, që po ta dinte këtë gjë humanisti ynë i madh Cen Bulku, do të kundërshtonte.

Por ajo çka mbetet për t’u shlyer, është ky detyrim. Hysen Bulku duhet të mbetet i gjallë ndër të gjallët.
Bëjeni këtë të nderuar!

Durrës: 9 shkurt 2023

Në foto:

  1. Busti në pllakë bakri i Cen Bulkut, realizuar nga piktori i njohur Sali Xhixha.
  2. Cen Bulku, me të birin Pëllumbin.