Në 32-vjetorin e shoqatës “Durrësi Autokton”, në hollin e Pallatit të Kulturës u ekspozuan me dhjetëra fotografi që dokumentojnë gjithë aktivitetin e saj të shtrirë në 3 dekada.
Në këtë 32-vjetor, shoqata kishte menduar të nderonte me titullin e rëndësishëm “Mirënjohja e qytetit” 3 mjekë të njohur, dy kardiologët Riza Xhepa dhe Hurma Çerma, si dhe okulisten Eda Vokopola.
Përgjatë gjithë karrierës së tyre, 3 bluzat e bardha të qytetit të Durrësit kanë kuruar me qindra e mijëra pacientë, duke marrë prej tyre vlerësimin maksimal për përkushtimin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës.
Një moment i veçantë gjatë mbrëmjes ishte shfaqja e dokumentarit dedikuar skulptorit Andrea Aleksi, një personalitet i shquar i shekullit XV, veprat e të cilit ndodhen në Kroaci e Itali.
Lidhjen e fortë me vendlindjen, skulptori i njohur e ruajti edhe në minutat e fundit të jetës, pasi në gurrvarrin e tij shkroi se ishte nga Durrësi.
Dokumentari i punuar me mjaft kujdes nga regjisori i mirënjohur Ylli Pepo dhe operatori Xhemal Reçi u duartrokit nga të pranishmit.
Për Pepon dhe Reçin, shoqata “Durrësi Autokton” kishte menduar akordimin e titullit “Mirënjohja e qytetit” duke vlerësuar në këtë mënyrë përkushtimin e tyre për të nxjerrë nga pluhuri i shekujve të kaluar vlerat e larta të skulptorit durrsak.