Nga BUJAR QESJA
Nuk mund ta fsheh, që i njoh dhe i kam miq, Elsa Ekonomin dhe Vasil Hilën. Absolutisht nuk mund ta fsheh gjithashtu, se kjo miqësi më nxiti të ndërtoj rradhë jo të pakta punës dhe veprimtarisë së tyre pedagogjike. Elsa Ekonomi, është 51-njëshi dhe bashkëmoshatare me mua. Është vajza e profesorit të njohur Mihal Ekonomi. Vasili agronom nga zanati, fantastik si student në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe kuadër drejtues në Durrës në disa sektorë.
Duhej të kalonin 21 vite, nga 11 korriku 2002-shit, kur shkolla 9-të vjeçare dhe e mesme e përgjithshme jopublike “Mihal Ekonomi”, të rregjistrohej në mëndjen e gazetarit, për t’i dhënë atë shtysë të nevojshme dhe ta prezantojë në publik. Po si? Kurrsesi jo si miqtë e mi, por si meritues absolut të arritjeve të mëdha. Dhe këto të mbuluara me suksese, të veshura me nder dhe krenari, duke kalitur shpirtin njerëzor, e nxitur mendimin bashkëkohor dhe përkujdesjen. Dhe kjo është bërë 21 vite pa u ndalur, duke kaluar në shinat e kulturës, trenin e dijes dhe të arsimimit të qindra nxënësve, të cilët prekën aftësiste e dhjetërave mësuesve.
Tashmë është e zyrtarizuar, që shkolla 9 vjeçare dhe e mesme e përgjithshme jopublike “Mihal Ekonomi” është e para. Kjo është vlerë e anës formale. Por ky “Mihal Ekonomi”, është ndërtuar për të patur jo vetëm etjen për konkurencë e ndershmëri, por edhe për të qenë në ballinën e arritjeve arsimore më të mira në Durrës. Kështu Mihal Ekonomi, i ndarë nga jeta me 25 dhjetor 1990, meriton të mbetet i gjallë, pasi puna e jashtëzakonëshme që kryhet këtu, e ka mbuluar me respekt dhe mirënjohje.
Lodhjen dhe mundimin nuk e pata thjeshtë, nga ngarkesa e një shkrimi të shtrirë në kohë dhe në vlera. Do të isha i kënaqur vetëm në këtë. Por veprimtaria mahnitëse e kryer nga mihalekonomasit, është aq e dëndur, aq e shpërndarë në vite, sa nuk mund ta përballoja në atë që quhet, përfshirja e gjithçkaje në kornizat e një shkrimi.
Lexova jo pak. U njoha gjithashtu jo pak, për t’a shtrydhur shumë këtë mëndjen time dhe për të publikuar atë koncentrat të domosdoshëm, që trajtohet si biografia e shkollës së parë jo publike në Durrës, me emrin e eruditit të njohur Mihal Ekonomi.
Pse i trefishtë është dhe mbetet Mihal Ekonomi? Së pari vetja e tij. Së dyti i integruar plotësisht tek vajza e vetme Elsa. Së treti, shkolla që e arkivon përjetësisht emrin Mihal Ekonomi. Material i ngarkuar, i ndërtuar me muskujt e fuqishëm të jetës, duke realizuar të plotë figurën më të lartësuar të arsimit. Me pasion të pazbehur në asnjë hap, studime të shumëfishta, përjetime, sakrifica, privacione, dërrmime shpirtërore, por të kaluara me buzëqeshjen otimiste të një intelektuali të veëantë. Ky Mihal Ekonomi, është kthyer në shembullin e një zotnije të rrallë të arësimit, privilegj për ta vendosur në historinë e qytetarisë.
Vasilija Ekonomi, ndonëse i shoqi Anasatasi e la të ve shumë shpejt, sakrifikoi aq sa nuk bëhet për shkollimin e Mihalit. Filloren e ndau në dy pjesë, në Durrës dhe në Elbasan. Më mbështetjen aktive të arbëreshit të njohur Papa Kristo Skrapeli, shkon për studime në Seminarin Arbëresh të Grottaferratës (Romë), format gjimnazi me kohëzgjatje 5 vjeçare. I lindur për mësues por i etur për dije, Mihal Ekonomi rrit shkallën e njohurive, duke iu nënshtruar studimeve të mesme për teologji dhe njohuri enciklopedike, në Seminarin Ortodoks Kombëtar “Apostol Pavli” në Tiranë. Ky seminar që financohej nga Ministria e Drejtësisë, kishte steka potenciale të mësimdhënies.
Mihal Ekonomi “kishte lindur me këmishë”, që të asistohej nga të fuqishmit e arsimit shqiptar si Gjeorgjia Filçe muzikë moderne, Vasil Vinjahu psikologji, edukatë, didaktikë, Vasil Thoma matematikë dhe frëngjisht, Sotir Papakristo greqishte e vjetër, stilistikë dhe letërsi, Dhimitër Beduli, Kristo Çamberi, Petro Doçi, jepnin lëndë fetare. Miqësinë e ndante me të mirënjohurit Kostandin Trako, Themistokli Mone, Kola Meshini, Arkile Kondi, Theofan Dokja etj. Dhe këtë Seminar, do ta përfundonte në Janinë.
Nga Durrësi në Elbasan, nga Shqipëria në Itali, nga Greqia në Rumani, Ekonomi po pasurohej me arsenal të fuqishëm dijesh. Arsimin e Lartë e filloi, në Akademinë Teologjike Ortodokse Rumune të Aradit dhe e përfundoi në qytetin Sibiu të Transilvanisë. Pasi diplomohet për Teologji në vitin 1942, shtrin studimet edhe për tri vite të tjera në Universitetin e Kluzh-Sibiut. Diplomohet për filozofi dhe pedagogji.
Ky kualitet potencial, i cili nuk mundi për arsyje familjare, t’i përgjigjej tjetër burse studimi në Universitetin Tubingen të Gjermanisë, vjen në Shqipëri menjëherë pas përfundimit të luftës në 1945-sën. Mihal Ekonomi i armatosur me armët e dijes, erdhi në Durrës për të vazhduar luftën kundër padijes, injorancës, analfabetizmit, errësirës dhe prapambetjes. Por me mendësitë feudaliste, duke përdorur inkuzicionin antikulturë, floririt Mihal Ekonomi ia zbehën shkëlqimin. Qeveria e dalë tashmë nga një sistem i dështuar, e trajtoi si heretik Mihalin duke ia privuar të drejtën e profesionit.
Ngjante kjo, kur në Durrës pak ishin me 7-vjeçare, e jo më të fortifikuar me dije të niveleve të larta kualifikuese. Mihal Ekonomi si shumë të tjerë nuk i shpëtoi çensurës, pasi kishte kryer “krimin” e studimeve jashtë Shqipëris, ndër të tjera edhe me profil fetar. Idealisti dhe ëndërrimtari i arsimit, mjeshtri i rrallë i mësimdhënies me devizën: “Mësuesi i mirë është ai që është dhe pedagog, edhe artist, edhe aktor para nxënësve të tij” Mihal Ekonomi u drobit, u cfilit, u zhgënjye, por nuk e hodhi në lumë optimizmin.
Mësonte, studionte, shkruante, përkthente, bashkëpunonte ne Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë. Ndërtoi lidhje me personalitete si Androkli Kostallari, Adriatik Kallulli, Miço Samara, Dhimitër Beduli dhe miqtë durrsakë Vlash Tati dhe Ali Sula. Kërkonte fjalë të reja për pasurimin e gjuhës. Gjuhën shqipe e kishte kthyer në art. Njihte gjithashtu deri në prefeksion gjuhët greqisht, italisht, rumanisht, latinisht dhe frëngjisht.
“Nuk mund ta mohosh diçka, pa e njohur më parë dhe nuk ke të drejtë ta përbuzësh e shpërfillësh, kur të mungon çdo lloj njohjeje për të…. Mos beso, nëse nuk ndien, por se ç’është besimi, duhet ta dish. Përndryshe, nuk mund të jesh kurrfarë intelektuali”. “ E stotmja është gëzim, e nesërmja ndihmon”. Këto ishin disa nga parimet filozofike të mjeshtrit të madh të arsimit Mihal Ekonomi.
Megjithëse i specializuar në lëndët pedagogjike e filozofike si pedagogji, edukatë, psikologji, filozofi të përgjithshme, histori të filozofisë, sociologjisë, refuzohej nga autoritetet arsimore të Durrësit. Nuk u dorëzua, pasi kishte besim në logjikën e asaj që kërkonte. Dhe fitoi. U vendos të ishte mesues, në ciklin e lartë të shkollës 8-të vjeçare. Dha histori, gjuhë shqipe, letërsi. Elektrizonte klasën. Punoi me përgatitje të jashtëzakonshme.
Kur doli në pension në vitin 1973, asnjë reagim nga autoritet e kohës për këtë violinë të parë të arsimit në Durrës. Është me vënd të kujtojmë një thënie profetike të Mihal Ekonomit:” Hyra në arsim dy herë i lauruar dhe dola në pension asnjëherë i lavdëruar”.
Shijoi lindjen e vajzës së vetme Elsa Ekonomi, e cila ndoqi rrugën e të jatit. U mrekullua nga mbesat Ledia dhe Aulona. Këmbëngulte në arsimimin e tyre. Ledia studioi në Rumani, ndërsa Aulona në Houston të Amerikës. Nuk përballoi emocionet e mëdha kur iu dha viza rumune, për të shkuar të takoj shokët e shkollës dhe bashkëpunëtorët e punës veçanërisht rumunët Aurel Marjan dhe Dumitru Dirjan. Kishte 45 vite pa i parë. Ambasadori rumun mbeti gojë hapur, nga përdorimi i shkëlqyer i gjuhës rumune nga eruditi ynë.
Me 25 dhjetor 1990, në vigjilje të demokracisë aq shumë të mirëpritur, në ditën e shenjtë të Krishtlindjeve pësoi artak kardiak masiv, duke dhënë shpirt nga më të arsimuarit dhe mësimdhënësi nga më të shquarit Mihal Ekonomi. Nderohet më titujt “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit” dhe “Nderi i Qytetit të Durrësit”.
Fuqia e Mihal Ekonomit bëhet e dyfishtë, nga vajza e tij Elsa Ekonomi. Kur dikush e pyeti etalonin e mësuesisë se “ mbete me një fëmijë”, mënçuria formatoj përgjigjen:”Edhe shqiponja një vezë bën, por bën shqiponja ama”. Pa dashur ta lëviz mëndjen më shumë sa duhet, Elsa u kthye në shqiponjë të arsimit. Ajo vijimësoi vlerat më të mira të të jatit, i cili u përkujdes për të vetmen dritë të syrit, të ishte e zonja në profesion dhe të trashëgonte dashurinë e madhe të fisit Ekonomi për gjuhën shqipe. Si amanet fuqia e të cilit nuk shuhet, Elsa ka vendosur në shpirt postulatin e të jatit: ”Nga familja Ekonomi do të dalin brez pas brezi, vetëm mësues të gjuhës shqipe”.
Elsa Ekonomi njihet nga brezi ynë, si nxënëse e shkëlqyer në shkollën e mesme. Letrare, skllave e letërsisë, e mënçur deri në befasi, mbaroi studimet e larta në Fakultetin Histori Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. 25 vite punoi si mësuese në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”, duke ia rritur namin këtij tempulli të dijes në të gjithë vëndin. Me kurajo, plot nerv e inisiativë, me kulturë të mirëfilltë, që e bënte më të avancuar nga kolegët, me gjuhë të huaja e studiuese, aq sa sot është nga kualitetet më të arrira të mësuesisë dhe veçmas të letërsisë.
Drejtoria Arësimore e Durrësit, nuk mund të mos e çfrytëzonte shansin, me afrimin e Elsa Ekonomit si inspektore për letërsinë. Kur Elsa u vesh me meritë me stofin e florinjtë të profesionistes së mësimdhënies në letërsi, kur u vlerësua si “Mësuesja më e mirë e vitit 1999”, kur i jepet titulli “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit” e “Nderi i Punës”, teksa meriton edhe Çertifikatë Vlerësimi nga Universiteti i Houston në Amerikë, bindesh mbi kuotat e larta pedagogjike të babait të saj Mihal Ekonomi që ia “fali” së bijës. Edhe Elsa studiuese dhe kritike letrare, autore botimesh në gjuhësi dhe metodika pedagogjike, aktive deri në avancimin e formave të mësimdhënies, mbetet libri i hapur për brezin e mësuesve të rinj.
Me Elsa Ekonomin, ngrihet shumë lart fama dhe emri i Ekonomëve të arsimit, duke i dhënë shanse Durrësit të avantazhohet si qytet i dijes dhe i kulturës, kur ka arkivuar në historinë e tij qytetare, prerje të nivele të arrira konkuruese.
Krah Elsës i bëhet edhe Vasil Hila, mjeshtër i rrallë i agronomisë me origjinë nga Vlora. Edhe familja e Vasilit, vatër dijesh dhe formimesh patriotike. Ylli i nderit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke përfunduar studimet me rezultate mahnitëse. Dyshja Elsa Ekonomi dhe Vasil Hila, ngacmuan idenë që në Durrës të krijohej me 11 korrik 2002, shkolla e parë 9-të vjeçare dhe e mesme e përgjithshme jopublike.
Nuk e dimë se si do të jetë ndjerë Mihal Ekonomi, kur e kanë lajmëruar nga parajsa ku ndodhet, se e bija Elsa ngriti të parën shkollën jo publike në Durrës me emrin e tij. Nder për një bir të paepur të arsimit. Nder edhe për Durrësin. Me siguri ajo ditë mbetet ringjallja e Mihal Ekonomit.
Dhe kemi ardhur në trefishimin e Mihal Ekonomit. Është shkolla me emrin e tij. Si i lidh fati gjërat e mira! Shkolla jo publike “Mihal Ekonomi” është vendosur ngjitur dhe gati është pjesë e ish gjimnazit historik dhe të parë të Durrësit “16 shtatori” . Djep i arsimit, me mësues të avancuar në dije dhe metodikë. Këtë potencë arsimore të Durrësit, e ka rikthyer me fuqi akoma më të madhe “Mihal Ekonomi” i Elsa Ekonomit. Në anën e formatimit pedagogjik të shkollës, vëmëndja ndalet edhe në ndihmesën e çiftit Ilia dhe Ana Prifti.
Dhe e nisi ky “Mihal Ekonomi” vitin e krijimit, me tri klasa të para të mesme të përgjithëshme me 59 nxënës dhe 25 nxënës në një klasë të dytë. Pas 21 vitesh numuri i nxënësve shënon shifrën 170, 22 mësues, psikologë dhe mjek. Janë tri cikle studimi, 5 klasa fillore, 4 klasa e mesme e ulët, 4 klasa e mesme e lartë. Shkolla është e mirëplotësuar me palestër, laborator kimie, fizike, informatike, arti, mencë, bibliotekë etj. Janë të ngritura dhe funksionojnë Këshilli i Mësuesve, Ekipet Kurrikulare, Qeveria e Nxënësve, Këshilli i Prindërve, Bordi i Shkollës dhe gjithçka tjetër duhet.
Përvoja 21 vjeçare e krijuar, ka nxitur nivelin profesional me standarte vlerësimi e kurrikul, praktikuar sipas orjentimeve të ministrisë së linjës. Edukimi i nxënësve me frymë qytetare europiane mbetet parësor. Vendosja e stimujve materialë për nxënës të dalluar në veprimtari jashtëshkollore, ka krijuar shanse për konkurim dhe cilësi. Rregulli, disiplina, marrëdhëniet demokratike mësues-nxënës dhe prindërit me shkollën, plotësojnë të tjera kërkesa. Komoditeti optimal infrastrukturor dhe logjistik në klasa, biblioteka dixhitale, gjuhët e huaja, veprimtaritë argëtuese ndiqen gjithnjë me përparësi.
Shkolla “Mihal Ekonomi” është kthyer në qendër inkurajuese të dijes, në fidanishte të njerëzve të suksesshëm dhe për më tepër, partnere solidare e Bashkisë Durrës në të gjitha aktivitetin e saj.
Kur çfleton pjesë nga historiku i shkollës, të duket sikur po njihesh me historinë e pallatit të kulturës në Durrës. Mbetet pasioni dhe përkushtim i trupës pedagogjike, të drejtuar nga mëndja e thekur e arësimit Elsa Ekonomi, që kërkon afirmimin dhe konkurencën e ndershmme. Pjesë aktive e shkollës “Mihal Ekonomi” janë edhe Drejtoria Didaktike Dalina Beshiri dhe administratori Julian Beshiri. Veç këtyre vijnë 17 mësimdhënës të kopsitur në mjeshtërinë dhe metodologjinë pedagogjike.
Veç të mira ka t’ju njohim me emrat e tyre. Në Histori Gjeografi Yllka Rustemi, në gjuhë letërsi Flavia Shqepani, në matematikë Pëllumb Xhelili e Melina Hysko, fizikë dhe informatikë Griselda Çorja, , italisht Tea Tatazi, anglisht Silva Driza. Psikologe e shkollës është Brunilda Avdyli, e cila jep gjithashtu edhe shkencat sociale. Edmonda Çeçi me aftësitë e saja në arte, ia ka ngritur autoritetin “Mihal Ekonomit”, duke e kthyer në qendër të fuqishme të lëvizjes artistike ndër fëmijët dhe të rinjtë. Mësues të tjerë sipas lëndëve janë edhe Elfrida Plepi në kimi, Ina Bilaj në biologji, Zamira Koçi dhe Gentian Prela në edukimin fizik. Cikli i ulët është në shërbimet e Romina Kasëmbit, Ilda Kazazit, Sonila Spahos dhe Enkeleida Trebickës.
Fuqia e shkollës “Mihal Ekonomi” mbetet zbulimi dhe aktivizimi i talenteve të ndryshme, si në olimpiadat e gjuhëve të huaja, pikturë, sportet e ndryshme, konkurse letrare, fjala poetike, maratona rinore, në kimi, fizikë, matematikë, në recitime, lojë teatrale, këngë, përdorimin e instrumentave muzikorë, festën e abetares, në gastronomi, ballot me maska dhe karnavalet, krijimet në poezi dhe prozë etj. Violeta Beshiri është fituese e festivalit kombëtar për fëmijë. Talenti i veçantë i saj mbetet edhe në veprimtaritë ndërkombëtare. I vëllai Antoni Beshiri, veç nxënës i shkëlqyer është edhe organizator i spikatur.
Nxënës të “Mihal Ekonomit”, janë përfaqësues autoritar në Olimpiadën Ndërkombëtare të gjuhës angleze, organizuar në Venecia të Italisë. Megi Lekbello u nderua me çertifikatë në festivalin Giffoni për fëmijë, që u organizua në Hollivud. Shahisti Ergyt Ramaj, fitues në shah në gara kombëtare dhe ndërkombëtarer. Po kështu edhe notari Marbi Hani. Eneida Jonuzi është vendi i dytë, në olimpiadën rajonale të kimisë. Jola Hysaj fitoi në Moskë çmimin e parë në pikturën abstrakte. Piktorët Athina Eski, Benita Çarçani, Anja Canaj, e kanë bërë të dëgjuar shkollën në ekspozitat ndërkombëtare. Por edhe në volejboll, basketboll, pingpong, tenis, atletikë dhe olimpiada të ndryshme “Mihal Ekonomi” është nderues.
Veç ansamblit folklorik, risia më befasuese vjen me interpretimet nga nxënësit të muzikës klasike. Përmasa në rritje, të një performance të pazakontë. Kolektiv pedagogjik i kristalizuar dhe i përqendruar, në formimin e plotë dhe të thelluar të nxënësve, për t’i bërë të vlefshëm në dije dhe integrim sa më konkurues në shoqëri.
Shembulli vjen nga Helena Prifti, e cila është pranuar me bursë në Alvin College USA. Bursë kanë fituar gjithashtu edhe Ardit Xhebexhia në mjekësi dhe Saverio Fejzo në shkencat kompjuterike.
Shkolla 9-të vjeçare dhe e mesme e përgjithshme jo publike “Mihal Ekonomi”. Arritje e padiskutueshme suksesi. Vazhdim me fanatizëm i emrit të madh të krijuar nga Mihal Ekonomi. Përgjegjësi e lartë dhe e kurdoherëshme, për të justifikuar besimin e prindërve në edukimin dhe mirëaftësimin me dije të fëmijve nxënës. “Mihal Ekonomi” është nder për arsimin në Durrës. “Mihal Ekonomi” me punë dhe përpjekje të jashtëzakonshme të bashkuar si gishtat e dorës mësues dhe nxënës, ka arritur të vendoset me meritë në qytetarinë durrsake.
Edhe më tej betimi i tyre është shërbimi, edukimi, arësimimi, aftësimi, përgatitja me tregues konkurues e nderues. Kësisoj “Mihal Ekonomi”, mbetet modeli i krijimit, organizimit dhe drejtimit të një institucioni të suksesshëm. Kjo nxit edhe arritjet e arësimit në Durrës dhe jo vetëm.