Teuta pret Kukësin të shtunën në një ndeshje shumë delikate që do të luhet në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Të dyja skuadrat janë me pikë të barabarta (25), ndërsa për momentin verilindorët kanë një golavarazh më të mirë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, kur klubet rivalizonin për Europën apo vendet e para, tashmë situata ka ndryshuar dhe të dyja janë në luftë për mbijetesë, duke qenë vetëm dy pikë më tepër nga zona e rënies nga Superiorja. Mirëpo, në prag të këtij takimi trajneri Edi Martini nuk është i qetë, pasi disa titullarë kanë probleme dhe pritet të mungojnë ndaj Kukësit.

E sigurt është që nuk do të jetë i gatshëm për shkak kartonësh qendërmbrojtësi Artan Jazxhi, i cili ka plotësuar numrin e tyre. Mirëpo, skuadra është “pushtuar” së fundmi edhe nga dëmtimet. Mbrojtësi tjetër, Jurgen Goxha, doli pa u mbyllur ende pjesa e parë në ndeshjen ndaj Erzenit dhe gjasat për të qenë i gatshëm të shtunën janë të pakta, pasi dëmtimi që ka pësuar kërkon kohë deri në riaftësimin e plotë. Në derbi u dëmtua edhe mesfushori Erando Karabeci, por burime pranë stafit mjekësor tregojnë se 34-vjeçari ka vetëm një problem muskulor dhe mundësitë më të mëdha janë që të jetë në fushë ndaj Kukësit. Ndërkohë, me probleme fizike është edhe sulmuesi i ardhur në merkaton e janarit, Klejdi Daci. Ky i fundit mungoi ndaj Erzenit, por shpresohet që do të jetë i gatshëm për Martinin pikërisht në përballjen kundër skuadrëssë vendlindjes.

Megjithatë, vetëtrajneri Martini ka konfirmuar se lojtarët që ka në dispozicionmund të zëvendësojnë dëmtimet dhe pezullimet. “Djemtë e detit” kanë zhvilluar seancën e parë gjatë së mërkurës në kuadër të ndeshjes së radhës me Kukësin, pasi Martini kishte lënë skuadrën dy ditë pushim, duke qenë se kalendari këtë periudhë ka qenë shumë i ngjeshur dhe ishte e nevojshme 48 orë pa stërvitje. Deri të premten u vazhdua me një seancë në ditë. Atmosfera në grup është pozitive dhe të gjithë kanë besim se do t’ia dalin në këtë takim delikat ndaj rivalit direkt për mbijetesë.