David Gjinollari është një nga surprizat e këtij sezonit te Teuta. I afruar në merkaton e verës, mbrojtësi i majtë ka mundur të gjejë hapësirë te durrsakët pas eksperiencës që ka pasur në vitet e kaluara në Kategorinë e Parë me Vorën dhe Burrelin. Në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, 23-vjeçari kryeqytetas luajti për 90 minuta, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. Ai vjen pas formimit si futbollist në akademitë e Dinamos dhe Tiranës, ndërsa ka pasur edhe një aventurë të shkurtër në Çeki me klubin Hradec Kralove. Gjinollari foli për fitoren e fundit në kampionat, ndeshjen me Tiranën dhe situatën te skuadra durrsake. Ai është i bindur se me grupin që ka Teuta, do të vazhdojë ecurinë pozitive.
David, ishit për 90 minuta në fushë ndaj Kukësit. Jeni më të qetë tashmë që edhe skuadra ka fituar një ndeshje të rëndësishme?
Sigurisht që jemi më të qetë, sepse kjo fitore ka rritur besimin e ekipit. Na ndihmon për moralin dhe për të vazhduar me rezultate pozitive në kampionat. Jam i kënaqur që edhe unë isha pjesë e formacionit, duke kontribuar në maksimumin tim për skuadrën.
Ky është sezoni juaj i parë në Superiore, si e shikoni tashmë vazhdimësinë e Teutës?
Ky kampionat nuk ka ekipe të dobëta apo të forta, pasi çdo skuadër ka mundësinë të marrë pikë ndaj kujtdo. Edhe me Kukësin që fituam, hasëm shumë probleme. Unë mendoj se jemi një grup që po funksionon dhe po punojmë mirë në të gjitha aspektet. Kemi mundësi të shprehim më mirë potencialin tonë, pasi ekipi po kalon një formë të mirë.
Të shtunën luani ndaj Tiranës, çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Kjo do të jetë një ndeshje më e vështirë, pasi luajmë ndaj një kundërshtari që synon titullin. Por, i kemi të gjitha shanset për të synuar tri pikë, sepse këtë e kemi bërë edhe në fazën e dytë. Kampionati sa vjen dhe bëhet më i fortë dhe nuk duhet të gabojmë. Tirana gjithmonë ka qenë një skuadër e fortë, por vetë situata në të cilën ndodhemi, na bën optimist se do ta kalojmë me sukses. Për fat të mirë gjërat kanë shkuar si duhet dhe shpresojmë të vazhdojmë me fitore.
Ku e mendoni se mund ta përfundojë Teuta këtë sezon?
Për momentin, ne mendojmë vetëm për ndeshjen me Tiranën. Po punojmë të gjithë që të sigurojmë tri pikët në këtë takim.