Teuta është duke punuar për të zbuluar talente edhe në akademinë e klubit. Trajneri i mirënjohur i ekipeve Shpresa dhe Teutës, Ilir Biturku, i cili prej kohësh ka marrë drejtimin e ekipit U-19 të Teutës, prek të gjitha temat, nga ekipi i parë, deri te moshat. Ai beson se Teuta, nëse e vijon sezonin më këtë ritëm do të jetë pretendente për kualifikimin në Europë, ndërsa thekson se në sfidën e së shtunës ndaj kampionëve në fuqi të Tiranës, shanset që Teuta ta fitojë janë aty, por edhe një pikë nuk do të ishte keq.
Sa e rëndësishme ishte fitorja ndaj Kukësit për Teutën?
Në gjykimin tim fitorja e Teutës ndaj Kukësit është një sukses, që i jep vlera dyfish, pasi të dyja ekipet luanin për të njëjtin objektiv. Mendoj që ka vlerë 6 pikëshe jo 3 pikëshe, pasi Teutën e shkëput njëherë e mirë nga ajo zonë e ftohtë.
Si ju është dukur Teuta e këtij sezoni?
Mendoj se Teuta e këtij sezoni ka bërë një nisje jo të mirë të themi të drejtën, por me kalimin e kohës ka rimarrë veten. Nëse kampionati do të kishte filluar para një muaji, Teuta do të kishte një pozicionim tjetër në klasifikim, por megjithatë e shoh Teutën në rritje.
Çfarë ka ndryshuar që nga ardhja e Martinit?
Unë mendoj se ardhja e Martinit ndryshoi 180 gradë situatën e Teutës. Edi, si një shok, koleg, mik, para së gjithash njihet shumë mirë me grupin, pasi me një pjesë të lojtarëve është shpallur dhe kampion para dy sezonesh. Unë mendoj që ka futur një frymë të re dhe kjo duket, sepse rezultatet flasin vetë. Është e pamohueshme, sepse koha po i jep të drejtë atij. E nxori Teutën kampione dhe tani nga ajo gjendje e vështirë po e rrit dita-ditës dhe gjykoj se do të ndryshojnë edhe objektivat.
Në lupën tuaj, nga cilët lojtarë prisni diçka më shumë?
T’ju them të drejtën skuadra ditaditës po shpreh një lojë të mirë dhe cilësia dhe autoriteti i saj po rritet. Në gjykimin tim si pjesë e Teutës prej disa vitesh, do të prisja më shumë nga lojtarë, që konsiderohen liderë të ekipit, si Jazxhi, Beqja, Marku. Teuta duhet të rrisë akoma më tepër cilësinë. Këto që përmenda janë lojtarë, që janë rritur, por pritet akoma më tepër. Sigurisht edhe nga Lorenco Vila, pasi është lojtar titullar i kësaj skuadre dhe ka mundësi të bëjë akoma më mirë. Sigurisht që ka edhe një pjesë tjetër të lojtarëve që unë i njoh dhe që janë pjesë e pankinës, pra kërkohet rritje cilësore nga lojtarët e rinj, përkushtim dhe përqendrim.
Të shtunën përballë është Tirana, sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?
Unë do të thosha që të gjitha ndeshjet e këtij kampionati janë të vështira. Çdo kundërshtar është i vështirë, si ai që është krye të klasifikimit, edhe ai që është në fund. Mendoj që këtë ndeshje, Teuta, pa asnjë lloj frike, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, duhet të futet me bindje të plotë për të marrë tri pikët. Gjithsesi, në gjykimin tim kurrsesi mos të humbasë ndeshjen, sepse do t’i shërbente moralit të skuadrës dhe vazhdimësisë që kjo skuadër ka. Pra mendoj që duhet të futet për të fituar dhe jo për të humbur.
Mendoni se synimi janë tri pikët në këtë ndeshje apo edhe barazimi do të ishte i pranueshëm?
Mendoj se një skuadër, kur përgatit ndeshjen, futet për ta fituar atë, por çdo trajner nëse nuk arrin objektin kryesor, që janë tri pikët, e ka të qartë se objektivi minimal është të mos e humbasë ndeshjen, pra të marrë qoftë dhe një pikë. Këtu marrim parasysh që kemi një kundërshtar dinjitoz, që kryeson kampionatin. Tirana është skuadër e fortë, në këtë ndeshje e rëndësishme është fitorja, por po aq esenciale është mos ta humbasësh, pra ta marrësh dhe atë pikë.
Si e shihni vazhdimësinë e sezonit dhe ku mund të arrijë kjo skuadër?
Mendoj që oreksi vjen duke ngrënë dhe Teuta në ndeshjet e fundit të këtij kampionati po tregon një rritje cilësore dhe ketë rritje do ta përkthejë në objektiva të tjera. Teuta me kalimin e ndeshjeve kam bindjen se do ta ndryshojë objektivin e saj, por kjo varet gjithmonë nga situata që është në klasifikim. Duhet të shkojë me vëmendje maksimale nga ndeshje në ndeshje. Nëse Teuta do të mbajë të njëjtin trend në kampionat, kam bindje se do të jetë pjesë e skuadrave që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane.