Sherif Kallaku është i lumtur që Teuta fitoi me Tiranën. Ish-lojtari i bardhebluve foli për sfidën e fituar me kampionët, penalltinë e humbur, si dhe të ardhmen e durrsakëve.
Një fitore e madhe?
Jam shumë i lumtur për tri pikët e marra në sfidën me Tiranën. E dinim që bardheblutë ishin shumë të fortë, sidomos në fushën e tyre. Ne vinim nga një ecuri e mirë e rezultateve. Kemi grumbulluar pikë. Kemi pasur besimin e plotë që nuk do të dalim pa pikë nga kjo sfidë që u luajt këtu në kryeqytet.
Teuta fitoi, por duket se hakmarrja ishte e plotë?
Të them të vërtetën nuk e mendoj se ishte hakmarrje. Unë gjithmonë mundoj të bëj punën time edhe pse mund të duket si hakmarrje. Jam i lumtur që fitojmë për ecurinë e ekipit tonë dhe jo i lumtur që fitova ndaj Tiranës. Tiranës ia kam uruar që të dalë kampione edhe këtë vit.
Humbët një penallti…
Visarit gjithmonë i kam shënuar në stërvitje. Bravo Visarit, e komplimentoj. E shleva te goli i dytë. Duhet të shoh përpara dhe jo te gabimet apo penalltia.
Fitorja ju jep qetësi?
Kur vjen pas rezultateve të mira, ke besimin që mund të ikim nga zona e ftohtë. Edhe pse me një humbje mund të zbresësh poshtë. Teuta tani duhet të shohë për ndeshjet në vazhdim dhe përpara. Ecuria duhet të na shërbejë si motivim.