Trajneri i Teutës, Edi Martini, është përzgjedhur më i miri i muajit shkurt, duke marrë çmimin “OVERSPORT”.
Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të ekipit të “Djemve të detit” në rrjete sociale.
Çmimi për trajnerin Martini vjen në një moment mjaft të mirë për ekipin e Teutës, pasi rezultatet e arritura në fushën e lojës kanë bërë që skuadra durrsake të kalojë nga zona e mbijetesës ku ishte javë më parë, në ekipet e Ligës superiore, që synojnë Evropën.
Teuta është tashmë skuadra më në formë e momentit në Abissnet Superiore.Skuadra durrsake, në gjashtë ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë ka fituar 5 ndeshje e ka barazuar vetëm 1.
Gjatë kësaj periudhe “Djemtë e Detit” kanë pësuar vetëm një gol në barazimin ndaj Erzenit në kampionat. Ndërkohë djemtë e Edi Martinit kanë hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës pas fitores 2-0 ndaj Kukësit në “Niko Dovana”.
Pavarësisht faktit se në ndeshjet e fundit Teuta nuk pëson, ajo mbetet skuadra me mbrojtjen më të dobët. 28 gola kanë pësuar bregdetarët, më shumë se çdo ekip tjetër. Pas tyre ndodhet Kastrioti, Laçi dhe Erzeni me nga 27 gola. Teuta renditet pas javës së 23-të në vendin e gjashtë me 4 pikë larg Vllaznisë së vendit të tretë, pozicion që të dërgon në kualifikueset e Conference League. Megjithatë, skuadra e Martinit ka si synim kryesor fitimin e Kupës së Shqipërisë.