Një babysitter që trazon jetën e një çifti, të përfshirë në një marrëdhënie problematike. Një çift ku dashuria duket se e ka humbur qëllimin për të cilin ata u lidhën në martesë vite më parë. Një komedi fine franceze, që përmes humorit përcjell tek spektatori domosdoshmërinë e komunikimit në çift për të mbajtur një raport të shëndetshëm dhe jetëgjatë.
Kështu erdhi mbrëmjen e së enjtes para publikut durrsak komedia “La baby-sitter” e regjisorit Vasjan Lami.
Përmes lojës së shkëlqyer aktoriale të Luiza Xhuvanit, Genc Fugës dhe Andia Xhungës, publiku në sallë përcolli një pjesë të realitetit që përjetojnë shumë çifte të përfshira në marrëdhënie jo funksionale.
Për t’i qëndruar sa më besnik tekstit origjinal, regjisori Lami thotë për “DurrësLajm” se ka evituar përdorimin e batutave në shqip, sepse humori fin francez kuptohet shumë mirë nga publiku vendas.
Për aktoren Andia Xhunga, interpretimi para publikut durrsak është përherë një emocion më vete, ndërkohë që në skenë ndihet komode që punon me dy emra të njohur të teatrit shqiptar.
Mes të qeshurave pafund, publiku durrsak mirëpriti premierën e komedisë “La baby-sitter”. Prandaj edhe mbrëmjen e kësaj të premteje, suksesi pritet të jetë i garantuar.
M.B.