Me kontraste të forta ngjyrash, shumë tablo me natyrë të qetë dhe peisazhe, po ku nuk mungonin edhe nudot femërore ishte ekspozita personale “Pranverë 2023”, e piktores Valbona Kapllani, hapur mbrëmjen e së enjtes në galerinë e arteve “Nikolet Vasia”.

Mes morisë së miqve, familjarëve dhe njerëzve të artit, piktorja Kapllani solli me dhjetëra tablo, fryt i punës së saj të 10 viteve të fundit.

Për kritikun e artit Oltsen Gripshi, kjo ekspozitë është një finalizim i bukur i përkushtimit të artistes për mëse një dekadë në pikturë.

Piktorja e njohur, Shpresa Beqiri mentore e Kapllanit përgjatë gjithë këtyre viteve, vlerëson faktin që teknikat e piktores nga Shijaku kanë ardhur duke u përmirësuar, duke arritur një nivel shumë të mirë.

I pranishëm në ekspozitë ishte dhe kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, i cili vlerësoi talentin e piktores Kapllani.  

Ekspozita “Pranverë 2023” do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë muajit mars.

M.B.