Teuta është “e dënuar” të fitojë ndaj Partizanit, pasi kërkon me çdo kusht të ruajë ecurinë e mirë të javëve të fundit. Mesfushori i Teutës, Ledio Beqja, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje.
Pas pauzës 10-ditore të kampionatit, si e shihni tashmë Teutën në këtë rrugëtim?
Pas këtij pushimi normalisht që gjendja është më e stabilizuar dhe jemi me moral të lartë, dhe besoj se është kështu. Ekipi është gati dhe jemi më të motivuar. Sigurisht që këtë javë është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, për vetë faktin se duhet fitojmë dhe të jemi brenda objektivave.
A është e motivuar skuadra për të ruajtur ecurinë pozitive në këtë kampionat?
Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin dhe një gjendje më të mirë psikologjie. Por nuk na mbetet gjë tjetër, duhet të vijomë me këtë lojë të mirë dhe rezultat të mirë duke filluar që nga ndeshja e së shtunës përballë Partizanit.
Në fillim të prillit çfarë ndeshjeje prisni ndaj Partizanit?
Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.
Jeni duke bërë paraqitje të mira, në aspektin personal si ndiheni?
Unë edhe vitet e tjera kam pasur minutazh dhe formë stabile, por në këtë sezon së bashku me klubin kemi pasur ngritje të formës. Synimet e mia kanë të bëjnë me paraqitje sa më të mira dhe ta ndihmoj skuadrën si në sezonin e kaluar me disa ndeshje vendimtare, por edhe me shumë këtë sezon që t’i arrijmë objektivat tona.
Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?
Jemi ende herët për të dhënë verdikte ku mund të arrijmë. Tani nisi faza e ndeshjeve më të vështira të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira, por unë mendojë që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi kemi shume ndeshje përpara dhe shpresojmë ta mbyllim me sukses.