Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha konferencën e përjavshme me gazetarët e ka nisur me një studim të ri, teksa tha se 80% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati shtoi se kjo ndjenjë është rezultat i një regjimi monist.
Sali Berisha: Një studim tregon se mbi 80 përqind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria. Ky është një lajm tragjik, të cilin nuk e gjen as në vendet në pushtime të plota, as në vendet në luftëra të pamëshirshme, as në vendet që përballen me varfëri ekstreme. Kjo ndjenjë është rezultat i një regjimi monist, që nuk njeh asnjë normë, asnjë parim, asnjë ligj, asnjë kufi në këtë vend. Shqiptarët shquhen si njerëz inteligjentë, çfarë do të thotë se ata kanë një shkallë absolute papajtueshmërie me regjimin aktual. Por ata bëjnë zgjidhjen më të lehtë, largimin nga Shqipëria. Ky lajm dramatik, sipas të cilit mbi 80 përqind e shqiptarëve kërkojnë të largohen nga vendi i tyre, është një apel, një kushtrim për çdo shqiptar. Të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë të kësaj situate dramatike që përjeton Shqipëria sot, më dramatike se në tërë kohërat e saj, në raportin e braktisjes nga qytetarët e vet. Për shqiptarët, pasuritë e tyre përrallore janë shndërruar në një mallkim të vërtetë, sepse ato disponohen nga një organizatë kriminale që quhet qeveri, dhe klientela e saj. Kurrë ndonjëherë një shpërndarje më e pabarabartë nuk ka ekzistuar për të mirat materiale dhe pasuritë publike.
Kryetari i PD-së, Berisha solli në vëmendje premtimin e kryeministrit Rama për të rritur rrogën mesatare në 900 Euro brenda 2 vitesh, për të cilin tha se është cinik dhe i pamëshirë.
Sali Berisha: Mbi 80 % kërkojnë të largohen se përballen me një varfëri të frikshme në rritje. Dhe me mashtrime gjithnjë e më të mëdha. Përballë kësaj situate, Edi Rama lëshon për qëllime elektorale, premtim-mashtrimin për rrogën mesatare 900 euro. Cinik, ndaj atyre që nuk kanë. I pamëshirë. Premton vetëm e vetëm që t’i mashtrojë, siç i mashtroi me të gjitha premtimet e mëparshme. Pra, ky është aspekti kryesor që i detyron shqiptarët të mos e shohin të ardhmen e tyre në këtë vend.