Trajneri i Teutës, Edi Martini, mendon se skuadra e tij po vuan edhe mungesën e fatit në këtë periudhë gjë që ka kthyer përsëri durrsakët në zonën e ftohtë të klasifikimit. Këtë ai e ka shprehur edhe pas humbjes 2-1 ndaj Laçit, ku mendon se gjithçka erdhi në mënyrë aksidentale.
“Edhe në të parën, edhe në dytën luajtëm shumë më mirë se kundërshtari. Arritëm të shënonim, pastaj është edhe çështje fati, merr penalit, pëson gol, bie moralisht. Kishim raste, duhej të shënonim të dytin. Penalltia ishte aksidentale, edhe te goli i dytë ishte gabim individual. Kështu është futbolli, të dënon atëherë kur ti nuk e pret.
Po të shohësh golin e parë, erdhi nga një faull i panevojshëm afër pankinës. Nuk ishim vendosur mirë, në një top pa pretendime vjen një faull pa lidhje dhe bëhet rasti. Ne po futnim Çyrbjen që të ishim të ekuilibruar mbrapa, pësuam gol, kërkuam të shënonim, kishim rastet tona. Çdo gabim kushton, por nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të ecim para.
Nuk mendoj se është ngërç psikologjik se po luajmë më mirë se kundërshtarët, me përjashtim të ndeshjes me Partizanin, në çdo ndeshje tjetër kemi qenë të barabartë, askush nuk na ka vënë poshtë. Nuk jemi si në fillim, jemi më të fortë, mendojmë të shkojmë të përballojmë çdo ndeshje”, tha Martini.