Bylis dhe Teuta u ndanë në barazim 2-2 në takimin e javës së 29-të të Superiores, me të dyja skuadrat që pavarësisht rasteve që krijuan nuk ia dolën që të marrin maksimumin.
Minutat e para ishin të kujdesshme me skuadrat që studiuan lojën e njëra-tjetrës.
Pak pa u mbushur gjysmë ore lojë, Bylis arriti që të shënonte golin e avantazhit, me Santos. Braziliani përfitoi nga pasiguria e mbrojtësve durrsakë, duke mposhtur më pas Qirkon.
Teuta u zgjua pas golit të pësuar dhe reagoi me Kallakun.
Insistimi i bregdetarëve u shpërblye në të 36-n, kur Lorenco Vila ktheu në gol një harkim të Markut, duke goditur bukur me kokë nga brenda zone.
Në fillimin e pjesës së dytë ishte Kaçorri, i cili vuri në vështirësi Teutën. Por këtë herë Qirko bëri shpëtimtarin. Pas gati një orë loje, durrsakët arritën që të përmbysnin rezultatin, me Lorenco Vilën.
Goditja nga brenda zone i dha avantazhin skuadrës së Edi Martinit.
Megjithatë, në të 72-n, Santos iu përgjigj Vilës, duke shënuar të dytin personal, për të barazuar rezultatin.
Braziliani shfrytëzoi një top të larguar jo mirë nga Qirko, e me një lëvizje spektakolare e dërgoi topin në rrjetë.
Pas këtij barazimi, Teuta barazon Kukësin me 35 pikë, ndërsa Bylis vijon të mbetet në zonën e rënies me 30 pikë.