Një sukses i vërtetë rezultoi premiera e komedisë “Borgjezi fisnik”, e shfaqur mbrëmjen e së dielës në Durrës.

Publiku që kishte mbushur plot e përplot sallën e teatrit shoqëroi me duartrokitje lojën e bukur aktoriale dhe ndërthurjen e mjaft zhanreve, gjë që bëri që kjo komedi të vinte para artdashësve si një miksim i bukur artistik.

Në vitin e 70-të të themelimit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, regjisorja Driada Dervishi dhe trupa mjaft e përzgjedhur e aktorëve sollën në skenë komedinë e famshme të Molierit, e shkuar 400 vite më parë me porosi të mbretit të Francës Luigji XIV dhe e interpretuar në skenat më të rëndësishme botërore.

Gama e larmishme e kostumeve, ndërthurja e interpretimit aktorial me elementët muzikorë por dhe tematika e saj, mjaft aktuale për kohët që jetojmë ishin çelësi i suksesit për komedinë “Borgjezi fisnik”.

Për herë të parë pas shumë vitesh, për realizimin e kësaj komedie u bënë bashkë shumë emra të njohur të skenës shqiptare dhe jo vetëm si kompozitori Hajg Zacharian, skenografi Albert Dedja kostumografja Ilirjana Basha, stilistja Lira Koça, soprano Linda Kazani etj.

Në fund të shfaqjes duartrokitjet dhe ovacionet për stafin realizues ishin mëse të merituara. Komedia e Molierit do të vijojë të shfaqet sërish në Durrës, gjatë kësaj jave nga e enjtja në të dielë, në orën 19.00.

M.B.