Në ditën botërore të Kryqit të Kuq, nxënësit më të talentuar në lëndën e vizatimit të shkollave 9-vjeçare të Durrësit u bënë pjesë e ekspozitës me titull “Fëmijët dhe Kryqi i kuq”.

Të gjitha punimet e ekspozuara në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” ishin frymëzuar nga puna në terren e vullnetarëve të Kryqit të Kuq.

Kryetari i kryqit të Kuq Durrës Tomor Agalliu tha për “DurrësLajm” se vit pas viti është rritur numri i nxënësve pjesëmarrës, por edhe cilësia e punimeve artistike me të cilat ata paraqiten.

Nxënësja e klasës së VIII-të të shkollës “Shaqe Mazreku”, Ergi Merja kishte realizuar një nga tablotë më të mira të ekspozitës, frymëzuar nga solidariteti që Kryqi i Kuq dha për shtetasit turq, të prekur nga fatkeqësia natyrore e 2 muajve më parë.

Punimet më të realizuara artistikisht u nderuan me çmime, ndërkohë 10 më të mirat e ekspozitës do të bëhen pjesë e ekspozitës kombëtare që do të hapet në ditët në vijim në kryeqytet.

M.B.