Rreth 20 instrumentistë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës u bënë pjesë e koncertit ‘Tingujt e pranverës”, që mbushi plot e përplot sallën “Black box”.
E veçanta e koncertit ishte interpretimi në grup i nxënësve nga cikli fillor deri në të mesëm.
“Risia që sjelli është bashkëpunimi dhe puna në grup. Kemi vendosur fëmijët e ciklit fillor në kuintet dhe në grup për të luajtur së bashku.”,- tha për “DurrësLajm” mësuesja e violinës, Mira Zhiti.
Një nga instrumentistet më të mira të shkollës është pianistja maturante Katerina Kota. Pavarësisht pjesëmarrjes dhe vlerësimit me çmime në konkurse ndërkombëtare, interpretimin para bashkëmoshatarëve dhe mësuesve ajo e pret gjithnjë me emocion.
Në përfundim të këtij viti shkollor, Katerina i ka idetë e qarta. Përkushtimi shumë vjeçar në piano, do ta shoqërojë edhe gjatë studimeve të larta.
Pjesë e dekorit të koncertit “Tingujt e pranverës” ishin dhe veshjet e realizuara me materiale të riciklueshme nga nxënësit e degës së pikturës dhe tekstilit.
Shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ka nxjerrë prej shumë vitesh instrumentistët më të talentuar të qytetit. E duket se kjo traditë e bukur do të vijojë.
“Kemi talente dhe Durrësit nuk i kanë munguar talentet, sidomos shkolla e harqeve dhe e pianove kanë nxjerrë me vitet të tëra talente”,- tha mësuesja Zhiti.
M.B.