Edi Martini sheh me optimizëm fundin e sezonit për Teutën.
Trajneri i durrsakëve, edhe pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë përballë Tiranës, ka theksuar se skuadra vazhdon të besojë për Europën.
“Rezultati i parë ishte ajo që mbylli ndeshjen. Fryti i asaj ishte edhe e sotmja. Është ana psikologjike dhe kur gjendja psikologjike bashkohet me situatën fizike, atëherë bëhet e vështirë.
Eliminimi nuk ndikon absolutisht, ndoshta te Tirana ndikon pak më tepër se për ne. Rezultatet e fundit janë shenja optimizmi, jemi në valle për të hyrë në Kupat e Europës, mund të kapim edhe vendin e katërt. Kemi shumë shpresa ndaj jemi në rrugën e duhur.
Do bëjmë çmosin, kemi mbërritur deri në këtë pikë, tashmë jemi 2 pikë larg Laçit e një pikë larg Vllaznisë. Të gjitha janë të vështira, do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Shpresojmë t’ia dalim, kemi ndeshje të vështira përpara, më e vështira është ajo në Shkodër. Por kemi njëfarë shprese që mund të kapim vendin e katërt.
Nuk do dëshiroja ekip tjetër përballë në Kupë. Unë i uroj Tiranës ta fitojnë Kupën, këtë trofe të shumëpritur për ta dhe i uroj suksese në fitimin e Kupës”, tha Martini pas sfidës.