Helge Limburg e kujton ende mirë 7 janarin. Për përfaqësuesen e të Gjelbërve në Bundestag, ajo ditë ishte “një ditë trishtimi dhe zemërimi”. Ishte dita kur u ekzekutua iraniani Mohammad Mehdi Karimi. Kampioni i karatesë ishte vetëm 22 vjeç kur u “vra”, siç tha Limburg për DW, “pasi që nuk kishte një proces të rregullt ligjor”.
Helge Limburg nuk e njihte personalisht Mohammad Mehdi Karimin, por ajo kujdesej për të riun iranian. Si akt politik, nga solidariteti me lëvizjen demokratike në Iran – dhe mbi të gjitha duke shpresuar se angazhimi i tij do të mund të parandalojë ekzekutimin e Karimit. Pavarësisht distancës dhe përkundër faktit që nuk pati mundësi të fliste kurrë me Karimin në telefon, Limburg raporton se ata kishin krijuar një marrëdhënie personale. “Kisha kontakte të herëpashershme me njerëzit që e rrethonin dhe ndihesha shumë pranë tij. Edhe familja ime ndau emocionet dhe vuajti”, thotë Limburg.
Shumica e dënimeve me vdekje në Iran dhe Arabinë Saudite
Sipas Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Folker Turk, Mohamed Mehdi Karimi është një nga të paktën 209 personat që janë ekzekutuar në Iran këtë vit. Irani është vendi me numrin më të madh të dënimeve me vdekje në botë. Këtë e tregon raporti i fundit i Amnesty International për dënimet me vdekje dhe ekzekutimet në vitin 2022. Vitin e kaluar, të paktën 576 njerëz u vranë në Iran – pothuajse dy herë më shumë se në vitin 2021.
“Në Iran regjimi ka frikë për humbjen e fuqisë së tij”, analizon Renata Alt. Politikanja liberale (FDP) është kryetare e Komisionit të Bundestagut për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të tërhiqet vëmendja ndaj shumë të burgosurve përmes kujdestarisë politike. Përndryshe, ndoshta edhe më shumë njerëz do të ishin ekzekutuar”, shtoi Alt në një deklaratë me shkrim për DW.
Numri i vdekjeve u ngrit ndjeshëm edhe në anën tjetër të Gjirit Persik: në Arabinë Saudite në vitin 2021, 196 njerëz u vranë nga shpata e ekzekutuesit. “Brenda një dite, Arabia Saudite ekzekutoi 81 persona,” tha Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty International Anges Calamar në prezantimin e raportit tha se Irani dhe Arabia Saudite së bashku janë përgjegjës për më shumë se 80 për qind të ekzekutimeve në botë.
Të varur, të pushkatuar, të helmuar
Në vitin 2022, të paktën 883 persona u ekzekutuan në njëzet vende të ndryshme të botës. Më shumë se në pesë vitet e fundit. Disave iu pre koka, disa u varën, u pushkatuan ose u helmuan. Numri i ekzekutimeve është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2021: një rritje e tmerrshme prej më shumë se 300 rastesh ose mbi 50 për qind. Ndërkohë që ekzekutimet në Kinë, të cilat ndoshta numërohen me mijëra, nuk janë as pjesë e statistikave: Kina e trajton numrin e ekzekutimeve si sekret shtetëror. E njëjta gjë vlen edhe për Vietnamin. Nuk ka të dhëna as nga Koreja e Veriut, e besohet se edhe në atë vend ka një numër të madh të ekzekutimeve.
Në emër të shtetit vriten njerëz edhe në Japoni, SHBA dhe Singapor – vende që Gjermanisë i pëlqen t’i quajë partnerë. Kur Boris Mijatoviq, zëdhënësi i Komisionit të Bundestagut për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare, kritikoi dënimin me vdekje, ai shpesh u ndesh me një nga dy reagimet e përfaqësuesve të këtyre vendeve: “Ose njerëzit me të cilët bisedon janë të turpëruar dhe me një ndjenjë faji, apo thonë me shumë vetëbesim – “çfarë doni të më thoni ju nga Perëndimi?”, tha për DW një deputet i të Gjelbërve në Bundestag.
“Sidomos në rajonin e Gjirit Persik, në Azi apo në Amerikën e Veriut, ku kjo është një temë shumë e vjetër, duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe këmbëngulës nëse do të arrish diçka”, shton Mijatoviq. Ai beson se politikanët gjermanë e kanë për obligim të ngrenë çështje të këtilla: “Jemi të ftuar të vazhdojmë këtë debat! Sidomos në vendet ku dënimi me vdekje nuk shqiptohet vetëm për krimet më të rënda. Si në Iran për shembull, ku denimet me vdekje shqiptohen edhe për ‘krime kundër Zotit’ – që është shumë, shumë e diskutueshme!”.
Vdekje për shkak të trafikut me drogë
Sipas Amnesty International, më shumë se një e treta e të gjitha ekzekutimeve të regjistruara ishin për trafik droge. “Fakti që disa vende kanë dhe zbatojnë dënimin me vdekje në procedurat e rregullta penale paraqet një shkelje të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, thekson Renata Alt.
Atyre u ndalohet shprehimisht dënimi me vdekje për krimet që nuk plotësojnë pragun e “krimeve më të rënda”, për shembull për vrasje me paramendim. Kryetari i Komitetit për të Drejtat e Njeriut është gjithashtu i bindur se ekzekutimi i kriminelëve nuk ka një efekt parandalues. “Kjo nuk rezulton me uljen e numrit të vrasjeve apo të krimeve të lidhura me drogën,” thotë deputetja liberale Renata Alt.
Ka një fije shprese në këtë pamje të zymtë: gjashtë shtete të tjera e kanë hequr plotësisht ose të paktën pjesërisht dënimin me vdekje në vitin 2022. Situata ka ndryshuar veçanërisht në Afrikë: Sierra Leone dhe Republika e Afrikës Qendrore e kanë hequr plotësisht dënimin me vdekje. Guinea Ekuatoriale dhe Zambia në një masë të madhe. Liberia dhe Gana po përgatiten ta shfuqizojnë atë. Deri në fund të vitit 2022, gjithsej 112 shtete e kanë hequr plotësisht dënimin me vdekje! Dhe pothuajse dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, ose 125 vende, votuan në dhjetor për një moratorium mbi dënimin me vdekje.
Ndoshta dënimit me vdekje po i kalon koha, ngadalë por me siguri./DW