Më shumë se 1,100 rusë kanë kërkuar azil në Finlandë nën frikën e rekrutimit dhe shërbimit ushtarak në Rusi. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia Finlandeze të Migracionit (Migri).

Mediat e huaja shkruajnë se Finlanda është në pritje të udhëzimeve nga Bashkimi Evropian për fatin e rusëve që kanë ikur për të shmangur rekrutimin.

Migri raporton se 1109 shtetas rusë kanë kërkuar deri më tani azil në Finlandë për të shmangur rekrutim në Rusi.

“Ne nuk jemi në gjendje të nxjerrim vendime për azilin”, tha Sana Suter, shefja e drejtorisë së imigracionit të ministrisë së brendshme.

Pas diskutimit të çështjes së kërkesave për azil të paraqitura nga rekrutët që kanë ikur nga Rusia, vendet nordike vendosën të prisnin direktivat e BE-së përpara se të merrnin ndonjë vendim. Megjithatë Finlanda pezulloi përpunimin e rasteve të azilit për rusët që u larguan nga Rusia për të shmangur rekrutimin. Autoritetet e vendit e arsyetuan vendimin e tyre, duke thënë se ende po mbledhin informacione për kushtet sociale në Rusi dhe për vetë azilkërkuesit. Më 1 tetor të vitit të kaluar, Finlanda gjithashtu mbylli kufijtë e saj për rusët që mbanin viza turistike.