Pronari i Facebook-ut, Meta, është gjobitur me 1.2 miliardë euro për keqpërdorimin e të dhënave të njerëzve gjatë transferimit të tyre midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Lëshuar nga Komisioni i Irlandës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC), është gjoba më e madhe e vendosur sipas ligjit të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave të BE-së për privatësinë.

Rregullat e GDPR kërkojnë që kompanitë të kërkojnë pëlqimin e njerëzve përpara se të përdorin të dhënat e tyre personale.

Meta thotë se do të apelojë vendimin “të pajustifikuar dhe të panevojshëm”.

Në thelb të këtij vendimi është përdorimi i klauzolave standarde kontraktuale (SCC) për të zhvendosur të dhënat e Bashkimit Evropian në SHBA.

Këto kontrata ligjore, të përgatitura nga Komisioni Evropian, përmbajnë masa mbrojtëse për të siguruar që të dhënat personale të vazhdojnë të mbrohen kur transferohen jashtë Evropës.

Por ka shqetësime se këto flukse të dhënash ende i ekspozojnë evropianët ndaj ligjeve më të dobëta të privatësisë së SHBA-së – dhe inteligjenca amerikane mund t’i qaset të dhënave.

Shumica e kompanive të mëdha kanë rrjete komplekse të transfertave të të dhënave – të cilat mund të përfshijnë adresa emaili, numra telefoni dhe informacion financiar – për marrësit jashtë shtetit, shumë prej të cilëve varen nga SCC. Dhe Meta thotë se përdorimi i gjerë i tyre e bën gjobën të padrejtë.

I pyetur për gjobën prej 1.2 miliardë eurosh, Schrems tha se ishte “i lumtur që e pa këtë vendim pas 10 vitesh proces gjyqësor”, por ai mund të kishte qenë shumë më i lartë.

“Nëse ligjet e mbikqyrjes së SHBA nuk rregullohen, Meta do të duhet të ristrukturojë rrënjësisht sistemet e saj,” shtoi ai.

SHBA përditësoi së fundmi mbrojtjen e saj të brendshme ligjore për t’i dhënë BE-së garanci më të mëdha se agjencitë amerikane të inteligjencës do të ndjekin rregullat e reja që rregullojnë aksesin e të dhënave të tilla.

Në vitin 2021, Amazon u gjobit për shkelje të ngjashme të standardit të privatësisë së BE-së.