Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka vizituar disa bashki në zonën e Ravenës, ndër zonat më të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Më pas, në prefekturën e Ravenës ajo mori pjesë në një samit ku ishte prezent edhe presidenti i Rajonit Emilia Romagna, Stefano Bonaccini.
“Është ende e vështirë të vlerësohet dëmi, por është i madh”, tha Meloni para gazetarëve pas takimit.
“Edhe unë u preka, gjeta kaq shumë njerëz të prekur nga tragjedia që po përjetonin”, shprehet ajo.
Meloni foli me banorët e dy qyteteve dhe vëzhgoi pasojat e katastrofës në shtëpitë e tyre.
Kryeministrja Meloni u zotua për rimëkëmbjen e zonave të prekura. Ajo tha se qeveria do të vendosi në dispozicon të gjitha burimet e nevojshme duke kërkuar ndihmë edhe nga Fondi i Solidaritetit të Bashkimit Evropian për fatkeqësitë natyrore.
“Të martën është Këshilli i Ministrave, nesër gjatë gjithë ditës ka kohë për të optimizuar masat për gjithçka që mund të bëhet. Kam folur me Bonaccinin, kryetarët e bashkive dhe Mbrojtjen Civile për të kuptuar se çfarë është prioritet. Aty është qeveria, ka edhe nivele të tjera institucionale dhe ka një bashkëpunim shumë të vlefshëm. Do të duhen shumë burime. Detyra jonë, përveç punës së pabesueshme të bërë nga Mbrojtja Civile dhe Forcat e Armatosura, është të garantojmë përgjigje të menjëhershme”, shpjegoi kryeministrja.
Liderët e tjerë në samitin e Grupit të Shtatë (G7) në Hiroshima ofruan gjithashtu ndihma për familjet me të cilat po përballen me katastrofën. Shiu në rajonin e Emilia Romagna është ndalur por dëmet janë të konsiderueshme. 14 persona humbën jetën nga përmbytjet në këtë rajon dhe 26,000 njerëz janë zhvendosur aktualisht.