Nga BUJAR QESJA

E premte, 2 qershor 2023. Kohë e freskët, por e bukur. Por bukuria më e madhe më qendronte brenda kostumit të shpirtit, pasi do të pritja një zonjë të rrallë. Jo se është e veçantë nga të tjerat, po se kisha arsyje që ndjehesha në një tension emocionues, pasi e takoja për herë të parë. E rrallë kjo zonjë, nga puna, nga emri dhe nga ajo çka përfaqësonte.

Kisha shkruar për mbiemrat e saj. Të vajzërisë dhe të bashkëshortit. Fise me peshë në Elbasan, në Durrës dhe në Berat. Iu kushtova Tapijasve me një shkrim historik, diku në një muaj të vitit 2020. Nga Amerika e largët më erdhën falenderime, që po ti mblidhje përbënin buqetën më të preferuar, që të gëzon m’u në zemër, që e vajis shpritin tënd me vajin lubrifikues që prodhon gëzimi.

Dhe kjo Borodinase, dhe kjo Tapijase dhe kjo personalitete e arsimit dhe e shoqërisë civile, kishte ardhë nga Amerika 20 e ca vjeçare e familjes së saj, me plan të detyrueshëm, për t’u takuar me gazetarin që ia fiksoi në mënyrë më të mirë të mundëshme, historinë e këtyre familjeve me rrënjë e degë gjithnjë të forta.

Shkruhet rëndom dhe brenda logjikës së informacionit, për pritje ministrash, kryeministrash dhe presidentësh. Dhe unë në këtë të premte të 2 qershorit 2023, po bëja të njëjtën gjë, por një ndryshim jo të vogël. Po pritja as ministër, as kryeministër dhe as president. Por më duket diçka më shumë, pasi kështu e emëron ndjesia dhe mendësia ime.

Po pritja gruan e thjeshtë, por palcë e popullit, po pritja një pedagoge, por palcë e arsimit, po pritja as më shumë dhe as më pak bashkëshorten e shkëlqyer, të të mrekullueshmit Petraq Tapija, djalit të fantastikut Jovan Tapija, nënën e tre fëmijëve florinj Ardjanit, Lydrës dhe Dureltit, gjyshen e Tildit të bukur si pranvera, të mirën dhe të paplakurën Gazmenda Tapija.

Në një lokal nga më thjeshtët, që nuk ia di as emrin, diku në zonën e lulishteve të muzeumit, dy njerëz modestë në atë çka i kërkuan jetës, me lot dhe gëzim nga shpirti dhe zemra e tyre, ndoshta konsumojnë kafen më të shijshme në botë, që na ngjiti deri në mos-harrim. Dhe kur flet zemra në vend të fjalëve, kur biseda bekohet me ngjyrat më të ndezura të shpirtit, Zoti është ulur bashkë me ne dhe na bekon.

120 minuta me Gazmendën, më dhanë vërtetë gaz dhe mend. E folura e pa ndryshuar e elbasanllishtes tradicionale, e temperuar paksa me zhargonin durrsak dhe tiranas, i dhanë tavolinës së lokalit pa emër, emrin e fisit të Borodinëve të Elbasanit dhe të Tapijasve të Durrësit, por me piknisje në Berat.

Kujtuam jetën aktive të Petraqit, kur u vendos në sfera të larta të pushtetit lokal. 11 vitet e Gazmendës si mësuese kimie në gjimnazin “Naim Frashëri” dhe në filialin e njohur të Durrësit, ku ajo nuk harron dy miqte e vjetër Petro Luarasin dhe Nysret Rekën. Kaq sa i takon Durrësit.

Më pas tavolinës tonë, iu bashkua edhe vajza e Gazmendës, Lydra e bukur si hëna e plotë, bashkëshorti i saj Indriti, një dritë e familjes me peshë në Durrës të Ejup dhe Shyrete Maliqatit dhe Tildi, margaritari i këtij çifti të bekuar nga e mira dhe ndërtuam tryezën aq të ëmbël dhe ngacmuese plot dashuri.

Dhe kjo tavolinë e vogël, m’u duk më e madhja në këtë tokën tonë. Tavolinë që mbante peshën e rëndë të pamatshme të mallit, sentimentit dhe të mos harresës, sidomos ndaj të njohurve të mi Jovan dhe Petraq Tapija.

E kam peng që nga tronditja shpirtërore, lyer me miqësi dhe bujari, harrova të bëj propozimin e rastit për një foto, që diçiturën e kishte brenda. Por në vend të saj, më mjafton fotoja e bukur që bëmë me Gazmendën, me fotograf shpirtin tonë aq të prekshëm dhe aq të përmallshëm ndaj njëri tjetrit.

Nuk dua të kaloj në përsëritje, pasi ajo që kam shkruar për familjen e Petraq Tapijas, vlen sa një libër. Por ka një trajtim interesant, në emërat e këtyre miqve që ishin ulur në sofrën e pambarimtë të zemrës time. Kur Theohar Borodani lirohet nga internimi, vajza që lindi me 17 korrik 1943, iu vendos emri më i veçantë Gazmenda.

Mjeku 56 vjeçar Ardjan Tapija, mori si pjesë të dytë të emrit Jan në nderim të gjyshit Jovan. Lydra emri i propozuar nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Dhe Durelti, i treti është bashkim i mosharresës Durrës-Elbasan dhe Tiranë (Dur-El-Ti). Po nipi Tildi? Gjetje edhe kjo. Emrat e Tiranës, të prindërve dhe Durrësit.

Këta miq të jashtëzakonshëm, ndonëse ndodhen në Njujork prej më shumë se dy dhjetëvjaçarësh, nuk harrojnë tokën e tyre, fisin e tyre, identitetin e tyre, por e kanë shkrirë brenda emrave dhe memories. Ardjani mjek ortoped, Lydra stomatologe (maxillo-facile), Durelti mjek veteriner, Indriti së bashku me Lydrën, stomatolog dhe Tildi ka mbaruar për biznes, punon në qendrën financiare në Manhatan.

-Do të ngrihemi Bujar, se kemi shumë vizita për të bërë. Nuk do të harrojmë lagjen e vjetër. Prekëse do të jetë dhe këtë e kanë këto vizitat tona të rralla, të takohemi me mëhallelitë e hershëm të fiseve të mbetura aty Hidrat, Domët, Allushët, Kapllanët, Arapët, Kokomanët e ç’të mundemi.

U ndamë me lot në sy. Kur mësova se do të shkonin edhe në varrin e Petraq Tapijas, këtij durrsaku të madh, më duket se shqiptova pa ton, por me një zë të brendëshëm të trishtimit tim: “Të fala” bëji Petraqit nga ai gazetari që e doje aq shumë, nga djali i Xhafës, që edhe ai të donte aq shumë!

Dhe teksa ngrinim duart lart, ku bëhej riti i fundit i përshëndetjes dhe teksa shikoja, që Gazmenda u vendos në mes të tufës së njerëzve të saj, si një buqetë trëndafili sa rruzulli, fola sërish brenda vetes, pasi m’u kujtua që 17 korriku i 2023-shit është shumë afër.
Po ta jap si urim të parakohshëm, mikja e madhe nga Tapijasit.

Gëzuar 80 vjetorin e lindjes Gazmenda!

Bujar Qesja
Durrës: 3 qershor 2023

Në pamje: Gazmenda Tapija dhe Bujar Qesja.