Edi Martini nuk është më trajner i Teutës dhe verë klubi e ka zyrtarizuar diçka të tillë. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, klubi durrsak njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me Martinin.

Për Martinin ky është hera e tretë që largohet nga skuadra bregdetare. Më parë, ai ishte larguar dhe rikthyer por si duket, këtë radhë do të ketë një tjetër aventurë. Vllaznia është në pritje të trajnerit shkodran dhe pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet në krye të stolit kuqeblu.

Klubi i Futbollit Teuta njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin, Edi Martini.

Me këtë rast, KF Teuta falënderon Martinin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën blu, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen. Martini mori drejtimin e skuadrës bregdetare më 23 nëntor të vitit të kaluar, duke nisur aventurën e katërt në pankinën e Teutës. Ish-sulmuesi i njohur gjeti skuadrën në pozita të vështira. Martini fitoi titullin (2021), Kupën (2020) dhe Superkupën e Shqipërisë (2020, 2021) si trajner i Teutës.