Aleksandër Kuro nuk është më lojtar i Teutës. Vetë klubi ka zyrtarizuar largimin e futbollistit. Lojtari me origjinë nga Gjirokastra ka fituar gjithçka në Durrës dhe pas sukseseve në vitin e titullit provoi një aventurë në Qipro, e më pas u rikthye sërish te “djemtë e detit” në sezonin e fundit.

Mësohet se palët janë ndarë me mirëkuptim dhe mbrojtësi është tashmë një opsion për ekipet e tjera të Superiores, teksa dje ka marrë letrat nga Teuta. Kuro ka falënderuar shokët e ekipit, ku përmes një mesazhi shkruante:

“Përshëndetje, nuk do të jem më pjesë e Teutës në vazhdimësi. Ju uroj më të mirat dhe sa më shumë suksese ekipit edhe gjithsecilit prej jush”.

Ndërkohë Teuta shkruan:

“Faleminderit Aleksandër Kouros! Aleksandër Kouros, nuk do të jetë më pjesë e skuadrës blu. KF Teuta falënderon mbrojtësin Kuros për kontributin e tije me fanelën e Teutes, duke i uruar shumë fat dhe suksese në vazhdim të karrierës”.

Largimi i 29-vjeçarit ishte i pesti deri më tani, pasi më parë ishin zyrtarizuar titullarë si Albion Marku, Sherif Kallaku, Jurgen Goxhaj dhe Ildi Gruda. Mbrojtja është reparti që është prekur më tepër, ndërsa kanë mbetur Artan Jazxhi dhe Blerim Kotobelli. Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse do të rinovojë marrëveshjen me klubin edhe Harrallamb Qaqi.Te Teuta priten disa ndryshime, por baza e ekipit duket se do të jetë pak a shumë e njëjta. Përforcimet e klubit do të fokusohen më tepër në të dy reparte: mbrojte dhe sulm.

Në ditët në vazhdim lojtarë të rinj pritën t’i bashkohen Teutës, por së pari klubi duhet të zgjidhë çështjen e trajnerit, e më pas të futet seriozisht në merkato. Nuk është çudi që brenda kësaj jave të ketë një vendim përfundimtar për trajnerin, edhe pse drejtuesit nuk duan të nxitohen.

Presidenti Hasanbelliu po shqyrton të gjitha pistat, por për momentin nuk mund të flitet për emra konkretë. Fillimisht pati sinjale se trajneri mund të ishte i huaj dhe në tavolinën e kreut të klubit u shqyrtuan disa alternativa, por nuk pati konkretizime. Teuta nuk është pjesë e Kupave të Europës këtë edicion dhe kësisoj klubi ka gjithë kohën e nevojshme për të ndërtuar një skuadër që nuk do të përsërisë gabimet e sezonit të kaluar, i cili nuk ishte pozitiv.