-Nga Milano vendoset në banesën e përjetshme, ku prehet Zihni Dervishi
-Lumja e sportit, e halleve dhe e mbijetesës

Nga BUJAR QESJA
Trageti i linjës Bari-Durrës, sjell të enjten e 15 qershorit 2023, trupin e pajetë të Lumturi Cerlojit. Përfaqësues të funeralit “Cerloj”, me sipërmarrës të mirnjohurin Bim Cerloj, janë prezentë që sot në Milano, për t’u vendosur në portin e Barit, e udhëtuar më pas me tragetin “Adria”.
Është rrugëtimi i fundit për Lumen aq të dashur, pjesë e fisit shumë të njohur në Durrës të Cerlojëve, drejt Durrësit të saj aq të shtrenjtë. Në Durrës e “pret” bashkëshorti, edhe ky një emër shumë i njohur. Quhet Zihni Dervishi. Mbylli sytë në vitin 2008 dhe nesër ka rizgjimin. Në një varr, do të jenë dy emra të njohur në Durrës, dy qytetarë plot personalitetet, njëri futbollist dhe tjetra volejbolliste. Bëhet fjalë për mesin e vitive 40-të, afro 80-të vite të shkuara.

Zihni Dervishi, i burgosur politik për 20 vite, mbetet figurë popullore në Durrës. Shoqëria me Raq Manushin dhe brezin e futbollistëve të viteve 40-të, mbetet shembull i kulturës dhe qytetarisë. Idealizmi dhe përkushtim i tyre, xhentilesa dhe raportet me durrsakët, i kishin bërë me emër. Lumturia i takon brezit të vajzave të fillimit të viteve 40-të, ku kulmon me ekipin e famshëm të volebollit të Durrësit në vitet 1946, 47 dhe 48, që drejtohej nga heroina e sporteve, e kulturës dhe civilizimit, e paharruara Bernardina Qerraxhia.

Kam një foto, nga më të bukurat, nga më tërheqëset e atyre viteve. Janë 7 volejbolliste, veshur bukur dhe me shumë origjinalitet dhe që kanë si trajnere Bernardina Qerraxhinë. Pamje është e vitit 1948. Nga e djathta janë vendosur Bernardina Qerraxhia, LUMTURI CERLOJ, Mira Neki, Vera Tufa, Mellani Dushniku, Kristina Voilla, Eftiqi Papaj dhe Kudrete Ballhysa. Uniformat janë ideuar dhe realizuar nga zysh Beni. Nga fotot që hedh dritë, mbi traditat dhe zhvillimet e hershme të lojrave me dorë në Durrës.

Mund të jetë një imazh i 8 persona dhe persona që luajnë volejboll

Lumturi Cerloj, u rrit me edukatë qytetare nga një familja e hershme në Durrës. Cerlojt janë peshë e rëndë, në këtë qytetin tonë të lindjes dhe pjesë e saj janë emra me veprimtari pikante që i takojnë kulturës, sportit, ekonomisë dhe anës sociale. Po kujtoj Luç Cerlojin, vëllain e Lumes, punëtor i madh, burrë i mënçur dhe i qeshur, që ka shërbyer në çdo familje durrsakësh.

Në një rast, këtë shtatëshe volejbollistesh e trajtova, se nuk jetonte asnjëra. Por reagon nga Milano e Italisë, Lumturi Cerloj.
-Jetoj ende gazetar, komunikoj me ne Lumturi Cërloj nga Italia. Më përlote me foton që botove. Më kujtohen të gjitha shoqet, por unë kam mbetur ende me frymë. Do të të sjell disa gjëra, që do të duhen, pjesë të asaj pune të jashtëzakonshme që kemi bërë, për t’i dhënë nam dhe nder Durrësit.
Por sëmundja në mushkëri, që e mundoi LuImturi Cerloj-in, mosha 92 vjeçare, nuk ia krijoi komoditetin e nevojshëm të komunikimit, për të na lënë si trashigim, pjesë të arta të sportit dhe kulturës durrsake. Pas vitit 1990, Lumja emigroi në Itali, duke qenë së bashku me fëmijën e vetme, vajzën e dashur dhe shumë të shtrenjtë Etën. Ajo dhe fëmijët e saj, e organizojnë varrimin. Ajo ka rast të zgjoj nga “gjumi” i thellë edhe të jatin, të mirin dhe fisnikun Zihni Dervishi.
Me 15 qershor 2023, në portin e Durrësit do të ankorohet trageti “Adria” i linjës Bari –Durrës. Në bord është makina e funeral Cerloj-it. Brenda saj, ndodhet arkivoli me trupin e pajetë të Lumturi Cerlojit. Pranë ka të bijën, Etën, që nuk e lenë të vetme të ëmën edhe në këtë ditë dhimbje dhe trishtimi. Rreth orës 12.00 organizozhet ceremonia e përmortshme.

Lumturi Cerloi, do të përshkoj për herë të fundit rrugët e qytetit të lindjes, të atij qyteti që i fali rininë, bashkëshortin, që krijoi familjen dhe tash kërkon përjetësinë. Lumja e arta e viteve 40-të, bijë nga Cerlojët dhe bijë e paharruar edhe e zyshës së dashur, që dha edhe ajo rininë për këtë Durrës Bernardina Qerraxhia.
Le të jetë ky inmemoriam i bashkëqytetarit tënd, homazhi më i ndjeshëm, më i pastër, më i ndjerë, ku me siguri brenda tij është edhe dashuria, mirënjohja dhe dhimbja e një populli të tërë.
Pushim të paqmë, në tokën e bekuar të Durrësit tënd, Lumturi Cerloj!